rruge ndertim punimeMbivendosjet e pronave i kanë krijuar artificialisht fshatarët, që nuk kanë pranuar ndarjen e tokës


Pronat e mbi 80 për qind të familjeve të 2 fshatrat e Komunës së Bradasheshit në Elbasan, Shëjon dhe Recan janë prekur nga autostrada Tiranë-Elbasan, por ata nuk mund të marrin dëmshpërblimin për tokën, për shkak të mbivendosjes së pronave. Kjo ka ardhur si rezultat i konflikteve të pronësisë mes banorëve të fshatrave. Mbivendosjet e pronave i kanë krijuar artificialisht fshatarët, që nuk kanë pranuar ndarjen e tokës sipas Ligjit 7501 dhe pretenduesit për pronën, sipas kufijve të vjetër. Dukuria në fjalë ka sjellë edhe çrregullime në zbatimin e ligjit për shpronësimet, për të cilën priten vendimet e Gjykatës së Faktit në Elbasan. “Në fshatin tonë, një pjesë e kanë marrë dëmshpërblimin. Dy shtëpi që i kapte rruga, i morën. Për tokat, një pjesë i kanë marrë, ndërsa pjesa tjetër është në proces e sipër. Kemi 10 familje që janë me probleme, me mbivendosje. Këto i ka marrë përsipër kryetari i komunës për t’i rregulluar”, thotë kryeplaku i fshatit. Për një pjesë të vogël të banorëve, të cilët nuk kanë probleme pronësie, ka filluar shpërndarja e dëmshpërblimeve për tokën. “Janë bërë të gjitha procedurat e duhura dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe nga Drejtoria e Shpronësimeve pranë Ministrisë së Transporteve, të gjithë fermerët kanë filluar të marrin paratë në numrat e llogarisë përkatëse në bankë”, thotë Sabri Sallaku, kryetar i Komunës Bradashesh. Edhe pse me pronësi të papërcaktuar, banorët e fshatit janë të pakënaqur me çmimin e referencës të vendosur nga shteti për tokat e tyre. “Nuk më ka dhënë tokë fare, as lekë, asgjë. Ç’të bëjmë ne? Të vrasim veten? Ku do hamë, ku do pimë, ku do jetojmë?”, thotë një grua. Përkundër paqartësive për pronën që kanë sjellë edhe mungesën e dëmshpërblimeve, ritmet e punës për ndërtimin e rrugës së re janë tepër të larta duke dhënë shpresë për funksionalizimin e shpejtë të saj.