Gjykata e Tiranës: Taulant Çapa nuk kreu vepër penale, duke i hedhur dy vezë dhe një domate makinës së Kryeministrit maqedonas
Sokol Çobo
Një 22-vjeçar, i akuzuar për agresion ndaj Kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, të cilin e qëlloi me vezë dhe domate, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës, e cila pohon se një akt i tillë nuk është veprim i dhunshëm. Taulant Çapa, me origjinë nga Maqedonia dhe banues në Shqipëri, ku dhe është student, ka pohuar para hetuesve dhe gjykatës se e ka kryer këtë akt në shenjë sensibilizimi për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Madje, gjatë kryerjes së aktit, Policia e Shtetit, por edhe SHISH, hetuan këtë ngjarje, ndërsa autori është shpallur në kërkim, për t’u vetëdorëzuar disa ditë më pas, ku dhe u hetua në gjendje të lirë.
Gjyqtari Kreshnik Omari, në arsyetimin e vendimit, parashtron ngjarjen, e ndodhur më 23 nëntor të vitit të kaluar. Sipas gjykatës, forcat e policisë, kanë qenë të dislokuar me shërbim pranë hotel “Sheraton”, në Tiranë me qëllim sigurimin dhe mbarëvajtjen e vizitës së Kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, në shtetin shqiptar. Rreth orës 16:30 nga “Hotel Sheraton” ka dalë eskorta e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe pesë minuta më pas, ka dalë edhe eskorta e Kryeministrit maqedonas, e cila ka marrë drejtimin e rrugës për nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Pikërisht përballë Rektoratit të Universitetit, nga shkallët lindore të tij, i pandehuri ka goditur me dy vezë dhe një domate në drejtim të eskortës së Kryeministrit Nikola Gruevski, pikërisht në drejtim të automjetit të tij dhe më pas është larguar me vrap për nga Liqeni Artificial.
Janë pyetur me cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit shefi i Komisariatit të Policisë Nr. 1, kryekomisar Nazmi Shuli, si dhe punonjësi i policisë inspektor Agron Doçi. Ata kanë qenë prezent në momentin e ndodhjes së ngjarjes dhe kanë deklaruar faktin e përshkruar më sipër. Policia sekuestroi një qese plastmasi, brenda së cilës kishte mbetje domateje. Madje, është pyetur edhe shtetasi Arlind K., i angazhuar edhe në forumin “Rinia Aktive”. Ai ka deklaruar se është lidhur në telefon me Taulantin, i cili kishte pranuar se e kishte goditur automjetin e z. Gruevski. Shtetasi Genti B., ka deklaruar, i pyetur pas ngjarjes, se rreth orës 15:00 i kishte telefonuar shtetasi Taulant Çapa, i cili i kishte thënë se nëse do vinte në Shqipëri Kryeministri maqedonas duhet të flisnin për disa gjëra. Ata janë takuar tek Universiteti Politeknik dhe ai e kishte pyetur Taulantin se çfarë kishte ndërmend të bënte. Taulanti i kishte thënë se kishte ndërmend të qëllonte me vezë e të fyente makinën e Kryeministrit maqedonas për arsyet e diskriminimit të faktorit shqiptar në Maqedoni. Ai ka parë Taulantin që mbante me vete 10 vezë, si dhe një hurmë të qullur. Rreth orës 16:30 pranë tyre ka kaluar eskorta e Kryeministrit maqedonas. Taulanti është afruar pranë bordurës së krahut të djathtë të Universitetit Politeknikum dhe ka qëlluar në drejtim të automjetit të eskortës.
Akti për të drejtat
I pyetur në hetim, Taulant Çapa ka pranuar se ka hedhur në drejtim të automjetit të eskortës së Kryeministrit maqedonas z. Gruevski dy vezë, si dhe një domate, por pa ditur se në cilin automjet ndodhej z. Gruevski. Ai deklaron se veprimin e ka kryer spontanisht në shenjë sensibilizimi për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. “I pandehuri dhe mbrojtësi i tij nuk e kanë pranuar akuzën. Duke mos e mohuar faktin e ndodhur, avokati i të pandehurit argumentoi se, goditja nga një distancë e largët me domate dhe vezë e automjetit të Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili shoqërohej nga eskorta e tij, nuk mund të konsiderohet veprim i dhunshëm. Për më tepër, nuk ekziston ndonjë akt ekspertimi vlerësim dëmi, që të provojë faktin e dëmit të ardhur, mjetit të përfaqësuesit të shtetit të huaj. Përveç kësaj, thekson avokati, i pandehuri Taulant Çapa është pjesë e shoqërisë civile që lufton për të drejtat e shqiptarëve në shtetin maqedonas dhe që si shumë të rinj atdhetarë që jetojnë në Maqedoni, kërkon më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu, i pandehuri është student në Tiranë, e për rrjedhojë studion dhe jeton në Tiranë, ku si aktivist në shoqërinë civile, merr pjesë shpeshherë në aktivitete dhe protesta të shumta për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në shtetet e tjera. Forma të tilla proteste janë të njohura gjerësisht në botë, edhe në shtetet fqinje tonat, siç mund të jetë rasti i goditjes me “domate” të përfaqësuesve të shteteve të huaja, konkretisht atyre serbe apo të “Eulex” në shtetin e Kosovës, nga ana e anëtarëve të lëvizjes “Vetëvendosje”, ku pas shoqërimit të këtyre të fundit nga ana e policisë janë lënë të lirë pa u ngritur asnjë lloj akuze penale ndaj këtyre të fundit.
Gjykata, s’ka vepër penale
Pas parashtrimit të provave, gjykata thotë se i pandehuri Taulant Çapa duhet deklaruar i pafajshëm për sa akuzohet. “Qoftë nga provat e paraqitura nga prokurori, qoftë edhe nga vetë pohimi i të pandehurit, rezulton plotësisht e provuar se në datën 23 nëntor 2012 rreth orës 16:35, në momentin që ka dalë nga hotel “Sheraton” dhe ka marrë drejtimin e rrugës për nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht përballë Rektoratit të Universitetit Politeknik, nga shkallët lindore të tij, i pandehuri ka hedhur dy vezë dhe një domate në drejtim të makinave të eskortës së Kryeministrit z. Nikola Gruevski. I pandehuri është akuzuar dhe sjellë për gjykim për veprën penale të “Veprimeve të dhunshme ndaj vendeve të punës të përfaqësuesve të huaj”. Sipas gjykatës, në rastin konkret mungon ana objektive, që është kryerja e veprimeve të dhunshme. Hedhja e dy vezëve dhe një domateje në drejtim të makinës së Kryeministrit maqedonas nuk mund të konsiderohet një veprim i dhunshëm. Përveç faktit që është evidente që dy vezë dhe një domate që godasin një makinë nuk mund ta dëmtojnë atë, por në fashikullin hetimor nuk ekziston asnjë akt ekspertimi për të provuar ndonjë dëmtim që i është shkaktuar makinës së Kryeministrit maqedonas, apo të ndonjërës prej makinave të eskortës së tij. Nuk u arrit të provohej as ana subjektive e kësaj vepre penale, që do ishte synimi i të pandehurit për të cenuar marrëdhëniet normale ndërkombëtare mes dy shteteve. I pandehuri kishte si synim të vetëm, sensibilizimin e opinionit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe diskriminimin e tyre të vazhdueshëm dhe jo cenimin e marrëdhënieve ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.