Partia Socialiste, në vijim të fushatës së vet denoncuese ndaj dështimeve të qeverisë “100 arsye për të mos votuar Berishën”, e akuzoi kryeministrin për dështimin me Forcat e Armatosura.
Në një deklaratë për mediat deputeti Taulant Balla u ndal tek raporti i fundit i OKB, që sipas PS vërtetoi se “qeveria shqiptare i ka shndërruar Forcat e Armatosura në një supermarket që u shet armatime diktatorëve të botës”.
“Historia e ushtrisë shqiptare në këto 8 vite është një tjetër histori rrënimi të madh. Sot ushtria shqiptare është e nëpërkëmbur në dinjitetin e saj. Sepse forcat e armatosura shqiptare drejtohen nga një kupolë e marrë peng nga interesa që nuk kanë lidhje me interesat kombëtare, as me interesat e publikut shqiptar dhe që shpesh bien ndesh me interesat e partneritetit të Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s.
Partia Socialiste ka denoncuar Sali Berishën dhe Ministrinë e Mbrojtjes, drejtuesin e kësaj ministrie Arben Imamin, si shkaktarët kryesor të këtij rrënimi. Kemi denoncuar pazaret dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të armëve. Bindjet dhe dyshimet tona u vërtetuan nga hetimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i bërë publik ditët e fundit dhe i cili provon se në vitin 2011 autoritetet shqiptare kanë shitur armë në Libi, duke thyer embargon.
Kur ishte President Sali Berisha thyente embargon e OKB duke furnizuar Millosheviçin me naftë, tashmë kapet nga OKB si trafikant armësh në vende konflikt. Por Sali Berisha në vend që të jap llogari përpara Kombeve të Bashkuara, nuk bën gjë tjetër veç shpif për opozitën.
Sali Berisha i ka shndërruar Forcat e Armatosura në një supermarket që u shet armatime diktatorëve të botës”, u shpreh Balla.
Ai ka akuzuar ndërkohë Berishën për përgjimin e opozitës, duke thënë se ka prova për këtë gjë. Balla është ndaluar edhe tek privatizimet e pronave të ushtrisë, duke thënë se ato kanë ndodhur në mënyrë jotransparente.
“Kemi denoncuar keqpërdorimin anti-ligjor nga ana e Sali Berishës të Shërbimit Informativ me qëllim përgjimin e opozitës;
Kemi treguar dhe disponojmë prova shkresore të mjaftueshme për blerje në disa qindra mijëra euro pajisje përgjimi dhe ngritjen e një bërthame përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes. Kemi denoncuar gjithashtu korrupsionin e turpshëm dhe kriminal të kupolës me ushtarakët që përzgjidhen për t’u dërguar në misione paqeruajtëse.
Kemi zbardhur para shqiptarëve dosjen e plotë të korrupsionit dhe të batërdisë me pronat e paluajtshme shtetërore në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Prej katër vitesh, nën drejtimin e Arben Imamit, Ministër i Mbrojtjes, ushtria shqiptare është zhveshur pothuajse tërësisht nga pronat e paluajtshme në pronësi të saj.
Përmes një procesi tërësisht jo-transparent, pa asnjë ligj, duke anashkaluar tërësisht Kuvendin e Shqipërisë, në errësirë të plotë, janë hequr nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, janë nxjerrë në privatizim, janë shitur me vlera qesharake, objekte dhe troje të divizioneve, brigadave, batalioneve, reparteve, depove të armatimit, poligoneve të qitjes, shtëpive të ushtarakëve. Plot 17 milionë metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami i ka tjetërsuar dhe po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe e qytetarëve në drejtim të disa privatëve, klientë të partisë familjare”, tha më tej Balla.
Më pas Balla shprehu angazhimin e PS me ardhjen në pushtet për zbatimin rigoroz të statusit të ushtarakut dhe kontrollin demokratik civil në Forcat e Armatosura.
14 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)