Rrëshen


Ded Gjini kishte ftuar në banesë 15-vjeçaren, për të përmirësuar notën


Policia e Mirditës ka arrestuar Ded Gjinin, mësues në shkollën nëntëvjeçare të qytetit të Rrëshenit. Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të nxënëses së tij, e cila së bashku me prindërit, kanë bërë kallëzimin në Komisariatin e Policisë së Mirditës. Mësuesi dyshohet se e kishte ftuar 15-vjeçaren në banesë dhe në këmbim të kryerjes së marrëdhënies seksuale, ai do t’i përmirësonte notën. Burime zyrtare të Policisë së Mirditës bëjnë të ditur se “denoncimi është kryer ditën e premte, rreth orës 23:30, nga familjarët e adoleshentes e E.V”. Ata ishin shqetësuar se vajza e tyre nuk ishte kthyer në banesë. Menjëherë pas këtyre informacioneve, Policia e Mirditës ka ngritur pika kontrolli në qytetin e Rrëshenit dhe në fshatin Gëziq, pasi nga të dhënat e para ishte mësuar se adoleshentja kishte ikur nga banesa e një shoqeje së saj dhe ishte drejtuar tek banesa e mësuesit Ded Gjini. Ky i fundit i kishte vënë notë të ulët në provim dhe e kishte ftuar adoleshenten që të rishikonte dhe një herë tezën e provimit në shtëpinë e tij ku jetonte i vetëm. “Pas mbërritjes në banesën e mësuesit Ded Mark Gjini, i datëlindjes 04.03.1950, u bë arrestimi në flagrancë i tij, pasi ky i fundit po tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me të miturën. Mësuesi është habitur nga prania e policisë në shtëpinë e tij në atë orë të vonë të natës”, thanë burimet nga policia. Adoleshentja po bënte rreth tri orë që kishte shkuar në banesën e mësuesit, i cili, pasi kishte mbyllur derën e shtëpisë me çelës, nuk e kishte lejuar të largohej, duke kryer veprime të turpshme me të miturën, nxënësen e tij. Policia thotë se mësuesi Ded Gjini u arrestua në flagrancë për veprat penale të veprimeve të turpshme me të mitur, marrëdhënie seksuale me të mitur të mbetura në tentativë dhe shpërdorim detyre. A.B