Triliona dollarë besohet se janë fshehur nga taksidarët nëpër parajsa fiskale


Euro pastrimi i paraveLufta kundër evazorëve fiskalë është bërë në Bashkimin Europian çështje e kryetarëve të shteteve. Gjermania kërkon të fillojë e para me një projekt pilot së bashku me pesë vende të tjera.


Presidenti i Këshillit të BE-së, Van Rompuy, e bëri këtë temë të takimit të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive europiane që do të mbahet më 22 maj. “Evazioni fiskal është një problem që i kalon kufijtë e një vendi”, tha Van Rompuy. “Ne nuk mund të tregojmë as tolerancë, as neglizhencë”, shtoi ai, duke kujtuar se shtetet e BE-së humbasin një bilion euro në vit nga mashtrimet fiskale.


“Iniciativë e G6”


Ministrat e Financave të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Spanjës dhe Polonisë kërkuan në takimin jozyrtar të ministrave europianë të mbajtur në Dublin për vendosjen e standardeve ndërkombëtare në luftën kundër evazionit fiskal dhe larjes së parave.


Të nevojshme janë këmbimet e të dhënave fiskale të të gjitha llojeve, që nga të ardhurat dhe madje edhe me vendet joanëtare të BE-së, thotë ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble.


“Askush nuk mund të thotë se sekreti bankar është një rregull i dalë mode”, thotë ministri francez i Financave, Pierre Moscovici. Modeli që ndjekin gjashtë vendet e BE-së është ligji fiskal amerikan FATCA, i cili detyron dhënien automatike të të dhënave bankare tek autoritetet fiskale amerikane. Gjashtë vendet e BE-së duan që në projektin pilot të këmbejnë automatikisht informacione në fushën e të ardhurave të kapitalit.


Fusha të tjera veprimi do të jenë sipas gjashtë ministrave, ligjet për pastrimin e parave, që duhet të ndjekin gjashtë vendet e BE-së edhe gjatë evazioneve të rënda fiskale. Kancelari britanik i shtetit, George Osborne, tha se edhe taksimi i sipërmarrjeve ndërkombëtare do të rishikohet për të gjetur mangësitë, së bashku me qeverinë e tij, atë gjermane dhe franceze.


Ai njoftoi se këmbimi automatik i informacioneve do të vlejë edhe për Gjibraltarin, po ashtu oaz për evazorët fiskalë ose ishujt Cayman.


Diskutimi për sekretin bankar mori nxitje nga zbulimi i bizneseve me firmat e ashtuquajtura offshore dhe vendosja e parave të padeklaruara në oazet fiskale. Luksemburgu njoftoi se do të shkrifërojë ligjin për sekretin bankar dhe do të marrë pjesë në të ardhmen në dhënien automatike të të dhënave të përfituesve nga përqindjet. Kështu rritet presioni edhe mbi Austrinë, si vendi i fundit i BE-së që të shfuqizojë po ashtu ligjin për sekretin bankar. “DWelle”