Bashkia e Tiranës dhe policia bashkiake nuk ka në inventar asnjë banesë pa dokumente
Të dhëna
Planet vendore – Ndërtimet e reja në kryeqytet do të përcaktohen nga studimet dhe planet e detajuara vendore, pjesë e dokumentit të madh të planit urbanistik
Qendra – Planet e detajuara vendore janë në përfundim e sipër për zonat e qendrës së qytetit. Pa studimet dhe planet e detajuara vendore, subjektet nuk mund të ndërtojnë
Legalizimi – Brenda një viti, nga gushti i 2011-s deri në gusht të 2012-s, Bashkia e Tiranës ka evidentuar rreth 300 ndërtime pa leje
Lorina Mixha
Në Tiranë nuk ka më ndërtime pa leje. Fushata zgjedhore mund të nisë e qetë për Partinë Demokratike. Premtimet e përfaqësuesve të PD-së janë plotësuar për të gjithë ata qytetarë që ndërtuan pa respektuar rregullat. Legalizimi është bërë për të gjitha ndërtesat, me “njollë në biografi”. Të gjitha ato objekte që rezultonin informale në kryeqytet, i kanë kaluar procedurat e legalizimit. Tani janë të rregullta. Subjektet kanë bërë kërkesat e nevojshme, kanë dorëzuar dokumentacionin, si dhe janë aprovuar nga strukturat vendore si të rregullta, në përputhje me kushtet e urbanistikës dhe dokumentacion në përputhje me të gjitha procedurat e nevojshme që kërkojnë institucionet dhe kryesisht pushteti vendor.
Bashkia e kryeqytetit sqaron se nuk ka asnjë ndërtim pa leje në Tiranë. Kontrollet vazhdojnë, denoncimet për to vijnë nëpërmjet numrit të telefonit të vendosur në dispozicion dy vjet më parë si dhe Inspektorati Ndërtimor bashkë me policinë bashkiake mbajnë në vëzhgim të gjitha zonat në Tiranë.
Në kohën e zgjedhjeve vendore, ndërtimet pa leje mbinë si kërpudhat pas shiut, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre u detyruan të shembeshin menjëherë pas rokadës politike, ikjes së kreut të bashkisë Edi Rama dhe ardhja e kreut të ri Lulzim Basha.
Në gusht të vitit të kaluar, u evidentuan rreth 200 ndërtime pa leje, të cilat kaluan fazat e legalizimit pas dorëzimit të dokumentacionit, kalimit të inspektimeve, verifikimeve dhe marrjes së “ok” për t’u quajtur përfundimisht “me leje”.
Sot në kryeqytet, të gjitha ato shtesa katesh, zgjerime, papafingo e ndërtime të plota duhet të kalojnë nëpërmjet sitës së procedurave, verifikimeve, dorëzimit të dokumentacioneve para nisjes së punës, në të kundërt shemben.
Por para çeljes së fushatës zgjedhore, numri i ndërtimeve pa leje është zero.
Pak ditë më parë, në këshillin bashkiak, kreu i këshilltarëve të Partisë Socialiste, Aldrin Dalipi, deklaroi se në Tiranë para miratimit të planit urbanistik, por edhe pas miratimit të tij, ndërtimet pa leje po pushtojnë qytetin.
Sipas tij, ndërtimet, shtesat e gjithçka tjetër janë në kundërshtim me rregullat, ndërkohë që bashkia e kryeqytetit në inventarin e saj, sipas inspektimeve dhe kontrolleve, nuk ka asnjë objekt pa leje.
Në tetor të vitit të kaluar, drejtuesit e njësive bashkiake, përfaqësues të PS-së po ashtu deklaruan se ndërtimet pa leje nuk mund t’i kontrollojnë dot dhe nuk kanë gjetur mbështetje.
Kryetarja e njësisë nr. 5, Jeta Seitaj, denoncoi shtimin e kateve në një objekt pranë stadiumit “Dinamo”, ndërkohë kryetari i njësisë nr. 7, Erjon Koka, denoncoi ndërtimin e një objekti pranë klubit “Partizani”.
Në gusht të vitit të kaluar, 300 ndërtimet pa leje të evidentuara nga Bashkia e Tiranës nisën procedurat për legalizim.