Analiza
Ish-ministri i Jashtëm: Nuk vlen më shprehja jonë kundër tyre
Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë ka kritikuar performancën jo realiste të Athinës zyrtare ndaj fqinjit të saj, Shqipërisë, dhe ka vlerësuar një qasje normale të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Shqipëria nuk na e ka nevojën”, kështu shkruan në analizën e tij ish-zëvendëskryeministri dhe ministër i të gjitha qeverive greke të PASOK-ut, Teodoros Pangalos, në gazetën “To Vima” e ditës së djeshme. Duke iu referuar ngjarjes së vitit 2006, kur pas fitores së Shqipërisë ndaj Greqisë në futboll, pasoi dhuna dhe thirrjet antishqiptare të tipit “Shqiptar, shqiptar, grek nuk bëhesh kurrë!”, Pangalos bën një krahasim të ekonomive aktuale greke dhe shqiptare. Ish-zëvendëskryeministri grek i referohet për këtë, një raporti sekret të shërbimit inteligjent amerikan, me të dhëna për ekonomitë e dy vendeve. “Është e natyrshme që 1 milion shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi, donin të festonin fitoren e ekipit të tyre të futbollit në pjesë të ndryshme të Athinës dhe në qytete të tjera, ku u rrahën dhe më pas u arrestuan nga policia. Përse po e kujtoj këtë? Sepse na ra në dorë një raport sekret nga CIA amerikane, me titull ‘Krahasimi i ekonomive’”, shprehet Pangalos. “Papunësia në Greqi arrin 24% dhe vendi është i 172-i në botë, ndërkohë që Shqipëria shënon vetëm 13% të papunë dhe është në vendin e 133. Investimet në kapital fiks në Greqi janë 10% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri arrijnë 25% të PBB-së. Shqipëria ka një deficit buxhetor vjetor -3.3%, ndërsa Greqia lufton që të qëndrojë në -9.5% dhe këtë vit lëviz në deri -15%. Borxhi i Shqipërisë është 60% i PBB-së, ndërsa ai i Greqisë 161% i PBB-së. Shqipëria është në vendin e 47 në botë për borxhin, ndërsa Greqia në vendin e tretë”, vëren politikani i lartë grek, referuar raportit në fjalë. Pangalos e mbyll duke thënë: “Shqipëria po i plotëson të gjitha kushtet formale për të hyrë në euro. Ajo ushtron një politikë sistematike e të pavarur për t’u afruar me BE-në dhe nëse e doni ta them me fjalë të tjera ‘as që na e ka nevojën fare’”. “Është e vështirë tani të këndoni të njëjtën këngë shoviniste me mospërfillje si në vitin 2006, ‘Shqiptar, shqiptar, grek nuk mund të bëhesh kurrë’”, përfundon ai.