Deklarata
Elson Fierza u qëllua me thikë nga Emiljano Daullexhiu. Kunati i viktimës: Janë katër autorë të të njëjtit fis
“Elsoni vdiq, pa bërë asnjë faj. Unë nuk e dija se ai ishte konfliktuar mëngjesin e 27 shkurtit me Emijlano Daullexhiun. Atë ditë kemi qenë bashkë gjatë gjithë ditës dhe para se të largohej nga lokali im, i kërkova që të qëndronte edhe pak për të ngrënë drekë. Nuk pranoi, por u largua me pretendimin se do të shkonte në shtëpi, sepse e priste e fejuara. Nuk e kuptoj se si s’më tha gjë për sherrin. Po të ma kishte bërë të ditur se ishte grindur, do t’u shkoja atje dhe do i rrihja me shpulla që të gjithë. Atë e vranë pabesisht, duke i zënë rrugën”, shprehet Viktori, kunati i Elson Fjerzës, 24-vjeçarit të vrarë me thikë, në shkurt të 2013, pranë godinës nr. 1 në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Pas vrasjes, familja Daullexhiu ka tentuar që të takohet me familjarët e të ndjerit, për të kërkuar falje. Ata nuk kanë pranuar, pasi kërkojnë që Gjykata të japë dënim maksimal për autorin e vrasjes. Viktori shprehet i indinjuar për faktin se askush prej banorëve të zonës nuk ka shkuar për ta ndihmuar 24-vjeçarin. “Unë e pashë Elin nga larg, të shtrirë për tokë. Nuk e di sa kohë ka qëndruar ashtu, ndërkohë që asnjëri prej qytetarëve nuk i ka ofruar ndihmën e parë. Ndoshta po të ishte ndërhyrë në kohë, ai do të shpëtonte. Në ato momente nuk gjendesha në lokal, sepse kisha shkuar për furnizim. Kur u ktheva e pashë. E njoha nga larg prej bluzës që kishte veshur Eli atë ditë. Ato që pata në dorë i hodha dhe nxitova drejt tij. Kërkoja një makinë, për ta çuar në spital, por askush nuk u tregua i gatshëm. Pas disa minutash arrita që të gjeja mjet. Gjatë rrugës për në spital, i mbaja me dorë plagën, për të ndalur rrjedhjen e gjakut. Ishte e kotë. Ai vdiq rrugës, pranë kthesës së Kamzës. Trupi iu ftoh, por gjithsesi vazhdova të ecja, me shpresën se mund t’i kishte rënë të fikët. Atje mjekët më thanë se Eli ishte ndarë nga jeta. Bëmë thjesht procedurat e nevojshme në spital dhe e morëm trupin. Nuk është vetëm Emiljano fajtor në vrasjen e kunatit tim. Atë ditë kanë qenë rreth 4 persona, të të njëjtit fis. Babai i vrasësit ka qenë prezent në kohën që është kryer krimi. Më vjen keq që policia i ka liruar të tjerët dhe ka mbajtur në burg vetëm Emiljanon. Personi në fjalë sapo ishte liruar nga burgu. E gjithë familja e tij, janë persona me precedentë. Ata janë dënuar për vjedhje, grabitje e shumë gjëra të tjera. Pas krimit nuk e di se ku kanë shkuar. Familja e Elit po merret me mbarëvajtjen e gjyqit. Ata kërkojnë drejtësi deri në fund”, përfundon rrëfimin Viktori. Sherri mes autorit të krimit dhe viktimës ka nisur që një orët e para të mëngjesit. Emiljano Daullexhiu shante me zë të lartë në telefon. Fjalët banale i kanë tërhequr vëmendjen Elsonit, i cili i është lutur që të ndalet. Këshilla e viktimës nuk është pritur mirë, e për pasojë ata janë konfliktuar. Një kalimtar i rastit i ka ndarë, me pretendimin se gjithçka do të përfundonte aty. Në pasdite, Daullexhiu së bashku me babanë dhe kushërinjtë e tij, i kanë bërë pritë. Fillimisht ata e kanë rrahur dhe më pas i ngulën thikën në pjesën e gjoksit. S.Muça