Asnjë njoftim pas takimit. Arvizu merr pjesë në seancën e votimit


Shoqëria – Ambasadori Arvizu ka qenë i shoqëruar gjatë pasdites së djeshme nga zv/ambasadori Henry Jardine


Komunikimi – Arvizu ka qenë tepër i përqendruar te komunikimi me mesazhe gjatë kohës që ka qëndruar në lozhë


Fatjona Mejdini 


Takimi i Arvizu me BerishenAmbasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka pasur dje një mbrëmje intensive, nisur nga roli i tij i padiskutuar në politikën shqiptare. Ai ka zbritur dje në fushën e lojës, ashtu siç ka bërë rreth dy vite më parë, kur në Tiranë mbaheshin zgjedhjet lokale dhe ka preferuar t’u qëndrojë përballë politikanëve shqiptarë, si në takime kokë më kokë ashtu dhe në sallën e Parlamentit. Pavarësisht se gjatë javës së shkuar dhe paraditen e djeshme përmes medias, Arvizu ka kërkuar që të ruhet pavarësia e KQZ-së, ai është detyruar mbrëmjen e djeshme t’ia thotë personalisht Kryeministrit Berisha në një takim në Kryeministri, ku thuhet se ka qenë me iniciativë të Berishës. Ambasadori i SHBA-së ka pritur dje, që kreu i qeverisë, Berisha, të mbarojë aktivitetet elektorale të pasdites, për të zhvilluar me të një takim në Kryeministri rreth orës 20:00. Ky takim mësohet se ka qenë i tendosur dhe se ambasadori i SHBA-së ka qenë i qartë në kërkesën e tij për t’u tërhequr nga prekja e përbërjes së KQZ-së dhe shikimi i mundësisë për të zhvilluar negociata të mëpasshme për sa i përket përbërjes së komisioneve të nivelit të dytë dhe atyre të niveleve të treta. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se në takimin që ka zgjatur rreth 40 minuta, Berisha është treguar i palëkundur nga qëndrimi i tij për ta bërë këtë zëvendësim, duke u qëndruar edhe deklaratave të tij publike. Takimi, pavarësisht se ka pasur tone të forta, është mbyllur me shtrëngim duarsh në hyrje të selisë së Kryeministrisë, pasi Berisha ka preferuar ta shoqërojë kryediplomatin amerikan në Tiranë deri sa ai ka hipur në makinën e tij. Por Arvizu nuk i është drejtuar rezidencës amerikane, pasi ka përfunduar këtë takim, po ka preferuar t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, atje ku prej rreth 10 orësh vijonte të diskutohej për votimin e pritshëm, i cili do të përcaktonte jo vetëm fatin e Ilirjan Muhos si anëtar i KQZ-së, po kështu dhe të atmosferës parazgjedhore në vend. Ambasadori mori vendin e tij në lozhën e sallës së seancave plenare, ku në qetësi preferoi të ndiqte seancën, e cila ziente nga debatet dhe tonet e ashpra në lidhje me këtë çështje. Por Berisha, nga ana e tij, nuk preferoi ta linte menjëherë zyrën e tij në Kuvend, ku pas ambasadorit Arvizu hyri Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ky takim, mes Berishës dhe Topallit, zgjati përreth 30 minuta dhe mësohet se kreut të qeverisë i është raportuar në lidhje me gjendjen e votave në Parlament. Kreu i qeverisë ka preferuar të mbërrijë në Kuvend vetëm pas orës 22:00, pak para se votimi të çelej. Arvizu, nga ana e tij, nuk ka preferuar të largohet nga salla e seancave plenare, por ta ndjekë deri në fund atë, sigurisht duke pasur një vëmendje të veçantë në fjalën e Kryeministrit Berisha të mbajtur me një ton të ulët si pasojë e një ngjirje të zërit. Ambasadori amerikan konsiderohet si një nga diplomatët më të rëndësishëm në Tiranë, nisur dhe nga fakti se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në konsiderohen si të veçanta.