Në mbyllje të takimeve të sotme me liderët e shtetit shqiptar, baronesha Ashton ka mbajtur një konferencë për shtyp ku është përqendruar në sfidat që e presin Shqipërinë në rrugën e saj për integrimin në BE. Sipas saj, ato janë pa dyshim zgjedhjet e lira dhe të ndershme sipas standardeve europiane, çka sipas Ashton mund të arrihet vetëm në sajë të dialogut konstruktiv mes partive politike si dhe me lufte pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Për BE është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet e këtij viti të jenë në përputhje me standardet e BE, që do të jetë një test për progresin e Shqipërisë në BE.
Dje ne shprehëm publikisht shqetësimin tonë për votimin në parlament. Është përgjegjësi e të gjithë politikanëve që të ruajnë pavarësinë e institucioneve. Element kyç për progresin janë dialog i mirë dhe konstruktiv mes partive dhe vullneti për kompromis”, tha Ashton.
Ashton u ndal edhe në rolin e Shqipërisë sa i takon paqes dhe stabilitetit në rajon ku inkurajoi që të hiqet dorë nga retorikat nacionaliste.
“Natyrisht që të ruhet roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon duhet shmangur retorika nacionaliste. Duhet që Shqipëria të vijojë rolin tradicional të një faktori stabilizues në rajon.
Unë besoj se Shqipëria e ka kapacitetin që t’i trajtojë këto sfida dhe të ecë përpara”, tha Ashton.
Ashton takon Nishanin: Proces zgjedhor të besueshëm për votuesit, politikanët duhet të tregohen të përgjegjshëm
Zyra e Presidencës, përmes një njoftim për shtyp ka zbardhur takimin e zhvilluar paraditen e sotme mes presidentit Nishani dhe baroneshës Ashton, e cila ka nisur mëngjesin e sotëm një vizitë zyrtare në Tiranë.
Baronesha Ashton shprehur interesin për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit.
“Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Catherine Ashton theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.
Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit.
Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, presidenti Nishani nga ana e tij e ka garantuar Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian se ‘Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane’.
“Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve”, është shprehur Nishani gjatë takimit.
Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani, në këtë kuadër, vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar
Baronesha Ashton nis vizitën në Tiranë, takim me Nishanin, Berishën e Ramën
Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka mbërritur sot për një vizitë zyrtare në Tiranë, në kuadër të një turi ballkanik.
Ashton ka nisur takimin e parë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani në orën 11:00, i cili ka zgjatur rreth 45 minuta. Më pas Ashton është nisur drejt kryeministrisë, ku ka nisur takimin me Sali Berishën.
Ndërkohe, axhenda e saj përfshin një takim me ryesocialistin Edi Rama në orën 12:30, ndërsa në orën 13:10 Baronesha do të japë një konferencë për shtyp.
Tema kryesore e takimeve të kryediplomates europiane pritet të jetë perspektiva europiane e vendeve ballkanike.
Vizata e Ashton vjen në një kohë, kur klima politike në Shqipëri është nxehur për shkak të debatit për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së ka solli edhe një reagim të ashpër të BE.
“BE-ja shpreh shqetësim dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë lidhur me pasojat e mundshme të një votimi në Parlament te besimi i njerëzve në procesin elektoral. Të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”, thuhet në reagim.
16 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)