ZAMIRA ÇAVO


Zamira CavoNë ajrin e tejngopur me politikë, qarkullojnë mendime, ide e vlerësime të ndryshme. Por fryma që mbisundon është gjithashtu e dukshme se, më 23 qershor rotacioni politik është jo vetëm i domosdoshëm, por jetik. Nga ana tjetër, po dëgjohen gjithnjë e më shumë zëra se, e djathta na qenka rreziku i demokracisë në Shqipëri! Edhe një nxënës po ta pyesësh e di që një sistem demokratik nuk funksionon pa një pluralitet politik. E djathta është një aset i politikës shqiptare. Por çfarë ka në këtë konotacion negativ që gabimisht i vishet së djathtës? Modeli i saj, i përcjellë me tiparet e liderit që e ka udhëhequr për 22 vjet! Ky model, me emrin Berisha, është vërtet një fatkeqësi për të djathtën shqiptare, por dhe një fatkeqësi për Shqipërinë demokratike. Lideri i së djathtës shqiptare është një lider, i cili aplikon një model drejtimi totalitar. Ka disa arsye për këtë.


Së pari: Partia Demokratikë u krijua si një front antikomunist dhe ishte e natyrshme që në krye të saj të vinin ish të përndjekur politikë dhe ish-pronarë. Por nuk ndodhi aspak kështu. Lideri Berisha, për 22 vjet nuk i dha asnjë mundësi të djathtës reale të zinte në parti vendin e saj. Kjo e djathtë legjitime mbeti në periferi të Partisë Demokratike. Madje sot mund të themi se ky grupim social, i domosdoshëm për një parti të djathtë, është shndërruar në kundërshtare të modelit Berisha!


Së dyti: Modeli i drejtimit të Partisë Demokratike nga z. Berisha është një model i ngjashëm me modelin e partisë shtet, ku lideri di gjithçka, vendos gjithçka dhe ka gjithnjë të drejtë! Është e qartë se z. Berisha do të zgjidhte këtë model drejtimi partiak, jo vetëm se mentaliteti i tij i trashëgimisë ishte i tillë, por sepse edhe profili i tij psikologjik i përshtatej këtij modeli. Për 22 vjet Berisha mbeti në krye të Partisë Demokratike si njeriu që di gjithçka e përdor gjithçka ndaj besnikëve të tij e jo më ndaj kundërshtarëve të tij. Për rrjedhojë, në këtë parti u mbyt, pa lindur mirë, fryma demokratike, debati dhe mendimi kundër. Ata që u larguan nga kjo parti pikërisht si pasojë e kësaj metode drejtimi, u rikthyen sërish me dinjitet të përhumbur, pasi ashpërsia me të cilin luftonte z. Berisha ishte e papërballueshme.


Së treti: Z. Berisha brenda Partisë Demokratike është munduar të përdorë elementin krahinor në “forcimin” e pozitave të tij dhe të Partisë Demokratike. Ky element krahinor jo gjithnjë ka shkuar në shërbim të së djathtës shqiptare, pasi një pjesë e atyre që bëjnë militantin e partisë vijnë nga grupime të varfra, të shtypura, të pashkolluara e që kanë ndryshuar dhe profilin e Partisë Demokratike, si parti e djathtë.


Ky model drejtimi brenda partisë, sigurisht që do të pasqyrohej dhe në modelin qeverisës së po kësaj partie. Ndaj modeli “Berisha” i qeverisjes nuk është as më shumë e as më pak, por një model autoritar spontan dhe jodemokratik.


Nëse Partia Demokratike do të kishte sjellë vërtet modelin e saj të reformave të djathta (dhe këto reforma nuk kanë të bëjnë aspak vetëm me ca privatizime klienteliste dhe ca sisteme taksimi populiste) vendi me siguri do të kishte bërë hapa të rëndësishëm zhvillimi përpara. Por modeli i z.Berisha jo vetëm e la në vend procesin e zhvillimit, por në mendimin tim i ka borxh Shqipërisë 20 vjet prapambetje. Unë nuk gjej asnjë reformë në asnjë sektor që t’i ketë dhënë Shqipërisë mundësi zhvillimi. E di që dikush do të thotë po ku ka të krahasuar Shqipëria e sotme me atë të 20 viteve më parë! Sigurisht që nuk ka të krahasuar. Por ne shqiptarët jemi mësuar t’i bëjmë krahasimet me më të keqen dhe jo me më të mirën. Përveç kësaj, sistemi kapitalist i konkurrencës së lirë krijon vetë mundësi zhvillimi spontan, që gjithsesi e kanë çuar vendin këtu ku jemi, por jo aty ku duhej të ishim! Një e djathtë europiane me siguri do të kishte vënë themelet e një kapitalizmi të zhvilluar!


Qeverisja “Berisha” është modeli më i keq i qeverisjes, pasi ka shkatërruar të gjithë ekonominë, aq sa sot askush nuk ndihet dot i sigurt. Me populizmin dhe demagogjinë e tij ekstreme dhe kaq të rrezikshme për shqiptarët, Berisha ka krijuar, pa dashjen e vet, frymën e pasigurisë ekstreme. Paga që vonohen, biznese që nuk kanë të paguajnë punonjësit e tyre, investime ta pakontrolluara, privatizime ekstremisht të dëmshme etj., etj. Ky model shkatërroi administratën publike dhe profesionalizmin, duke i dhënë liri veprimi militantizmit dhe korrupsionit galopant!


Prandaj modeli Berisha i drejtimit politik është një model që duhet të marrë fund sa më parë. Dhe nuk është fjala vetëm e rotacionit politik. Jo! Berisha duhet të largohet detyrimisht dhe nga Partia Demokratike, jo vetëm për të mirën e kësaj partie, por edhe për të mirën e demokracisë në vend. Përvojat historike kanë treguar se liderë të tillë autoritaristë në metodat e drejtimit, nuk largohen dot lehtësisht. Me forcën e votës mund të ndodhë rotacioni politik i pushtetit, por jo largimi i Berishës dhe modelit të tij. Që të ndodhë kjo e fundit duhet që modeli “Berisha” të vihet para përgjegjësive morale, politike dhe ndëshkimore. Nëse nuk ndodh kjo, ka shumë mundësi që ky model të vazhdojë të luajë rol në politikën shqiptare, në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve! Nga ana tjetër, të gjithë duhet të nxjerrim mësime që ky lloj modeli, lind nga demokracia e brishtë dhe i imponohet asaj nga varfëria ekstreme e njerëzve. Pra, të jemi të përgatitur, që të mos lejojmë më modele të tilla për qeverisjen e ardhshme.