Hetimet 


Monstra është vënë në provë për disa episode, mblidhen prova për pistën e trafikimit


Sokol Çobo


ardian prenjasiMonstra i Laprakës, Ardian Prenjasi, dyshohet se ka gënjyer grupin hetimor për “krimet” që ka kryer me fëmijët. Ai është marrë disa herë në pyetje dhe shpeshherë është vënë në provë nga hetuesit, të cilët e kanë pyetur për një fakt shumë herë. Në fund, oficerët e policisë gjyqësore janë shtangur, pasi kanë konstatuar se përgjigjet e tij kanë qenë të ndryshme, madje edhe me të dhëna të tjera, të cilat ishin aludime të 45-vjeçarit. Pas këtij konstatimi, grupi hetimor po shpejton të mbledhë informacione për pistën e trafikimit të fëmijëve, ku dhe Prenjasi dyshohet se ka qenë në një grup. Prokuroria e Tiranës ka mbledhur së fundmi prova për këtë pistë hetimore, të rikthyer në hetim pas dështimit të kërkimeve për trupin e Julian Çelës në landfillin e Sharrës. Edhe për hedhjen e trupit në Sharrë, Prenjasi ka dhënë disa versione, madje edhe dy tri vende.


 


Pyetjet e Prenjasit


“Pas arrestimit, Ardian Prenjasi është marrë shumë herë në pyetje, të cilat kanë qenë në formën e deklarimeve, pyetje përgjigje, por edhe në video. Ai është pyetur për rastin e abuzimit me fëmijën 10-vjeçar, të cilin e ka pohuar, ndërsa fokusi ka qenë zbardhja e fatit të Julian Çelës. Fillimisht ka treguar se e ka mbytur, pasi vogëlushi nuk pranoi të kryente marrëdhënie dhe trupin e tij e kishte hedhur në një kazan plehrash. Një makinë e mbledhjes së mbeturinave e kishte çuar në Sharrë, ku Prenjasi tha se e kishte parë të nesërmen dhe ishte kujdesur që të mos dilte në sipërfaqe. Më pas, tregoi disa herë vendin se ku e kishte hedhur, madje dha edhe disa versione”, pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat thanë se seancat e pyetjeve janë zhvilluar për disa ditë me radhë, ku krahas dy rasteve të fundit, monstra është pyetur edhe për episode të mëparshme. Megjithëse nuk ka pranuar asnjë rast më parë, akuza thotë se të paktën dy raste, ai i vitit 1994 dhe rasti i vitit 2008 është i dokumentuar, pasi ka edhe vendime gjyqësore. Megjithatë, Prenjasi ka treguar paqartësi për këto raste dhe nuk ka marrë asnjë gjë përsipër.


 


Trafiku i fëmijëve


Pas paqartësive të dukshme të Ardian Prenjasit, prokuroria ka rikthyer në hetim edhe pistën e trafikimit të vogëlushit Julian Çela, i zhdukur pasditen e 30 nëntorit të vitit të kaluar. Policia dhe prokuroria, paralelisht me kërkimet për trupin e 10-vjeçarit në landfillin në Sharrë, po hetojnë edhe këto prova, duke marrë në pyetje familjarë të vogëlushit dhe kolegë të 45-vjeçarit Ardian Prenjasi, për ndonjë të dhënë për këtë pistë e cila nuk është rrëzuar asnjëherë megjithëse monstra pretendon se e ka mbytur dhe e ka hedhur në një kazan plehrash afër banesës. “Po hetojmë në dy pista, ku më kryesorja është vrasja e vogëlushit dhe hedhja e trupit në landfillin e Sharrës. Megjithatë, po mbledhim prova, kryesisht dëshmi, edhe për pistën e trafikimit, pasi disa familjarë të Julianit, fqinj dhe kolegë të Prenjasit, kanë treguar edhe për disa episode të dyshimta”, pohojnë burimet nga grupi hetimor, të cilët, kanë bashkuar edhe rastet, ku krahas Julianit, po hetojnë edhe për zhdukjen e Artur Carës në vitin 2004, ku sërish i dyshuari kryesor është Prenjasi. Më herët, prokuroria ka hetuar edhe për një rrëmbim të Julianit, për shkak të punës së të atit, Skënder Çela, nëndrejtor i antiterrorit në SHISH, madje duke kërkuar edhe dosjet e tij në SHISH që kishte pasur kohët e fundit.


 


Dosja e Elbasanit


Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se Prokuroria e Elbasanit ka gjetur dosjen e vitit 2004 në Elbasan, atë të zhdukjes së Artur Carës nga markata e qytetit. Fashikulli hetimor u është servirur hetuesve të çështjes, që kanë filluar verifikimet për të gjetur elemente të përbashkëta me rastin e Julian Çelës. “Ardian Prenjasi është denoncuar publikisht për shumë raste abuzimi ndaj fëmijëve, pavarësisht se në pjesën më të madhe të tyre mohon të ketë lidhje. Në vitin 2004, një i mitur 9 vjeç, u zhduk në rrethana misterioze nga markata e Elbasanit. Artur Carja ka humbur në mesditë, në kohën që ka qenë duke shitur qese dhe që prej 7 korrikut të atij viti nuk u gjet asnjë gjurmë e tij. Po në të njëjtin vit, Prenjasi ka rrëmbyer nipin dhe fqinjin minoren, duke i braktisur në një zonë malore. Ata janë gjetur nga policia mëngjesin tjetër, në mjetin që përdorej nga 45-vjeçari”, pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat pohojnë se pistë zyrtare është edhe trafikimi i fëmijëve. Ndërkohë, dyshimet janë ngritur pasi edhe vogëlushi i rrëmbyer më 16 mars të 2013-s, në zonën e Laprakës, pretendon se ka dëgjuar një telefonatë komprometuese, ku Ardian Prenajsi u ka thënë disa personave në telefon që të shkojnë ta marrin vogëlushin, sepse gjithçka është gati. Të gjitha këto ngjarje kanë ngritur dyshimet se Ardian Prenjasi mund të jetë përfshirë në ndonjë rrjet të trafikimit të fëmijëve.