Fushë-Arrës


Dhunohet shefi i rendit të Pukës, ndërhyn FNSH për të qetësuar situatën. Shoqërohen organizatorët


Banorët e Fushë-Arrësit kanë dalë dje në një protestë të dhunshme kundër kompanisë turke, e cila ka marrë me koncesion fabrikën e pasurimit të bakrit, duke sjellë disa të lënduar, ndërkohë që pre e dhunës ka rënë edhe shefi i rendit në Komisariatin e Pukës. Vetëm ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që kanë shkuar nga Shkodra në Fushë-Arrës, ka sjellë qetësimin e situatës, por gjatë përleshjes, policia ka përdorur edhe armët, duke qëlluar në ajër për të qetësuar protestuesit. Sipas banorëve, kompania turke nuk ka respektuar marrëveshjen me banorët, sidomos sa i përket punësimit, pasi ata pretendojnë se u ishte premtuar një kontratë e tillë. Në këto kushte, banorët kanë nxjerrë të gjithë punonjësit e kompanisë turke jashtë fabrikës së bakrit, ndërkohë që kanë dëmtuar edhe flamurin e Turqisë, veprim i cili ka sjellë reagimin e ambasadës së këtij shteti në vendin tonë.


Protesta


Rreth orës 09:00 të mëngjesit, banorë të Fushë-Arrësit kanë nisur protestën ndaj fabrikës së pasurimit të bakrit, ku kanë nxjerrë nga ambientet e punës punonjësit e fabrikës dhe kanë thyer xhama dhe objekte. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi për të ndalur sulmin, por protestuesit nuk janë tërhequr. Madje, gjatë tentativës për të shuar protestën, shefi i rendit të Fushë-Arrësit, Pëllumb Kuka, ka qëlluar në ajër 3 herë, pasi turma e goditi dhe tentoi të sulmonte punonjësit e tjerë të policisë. Po kështu, policia kërkoi ndërhyrje me helikopterë të FNSH-së, pasi situata ishte bërë e papërballueshme. Dy orë pas nisjes së protestës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shkuar në Fushë-Arrës dhe kanë tentuar të hyjnë në ambientet e fabrikës, ku janë vetizoluar protestuesit. FNSH ndërhyri nga pjesa e malit për të hyrë në fabrikë, por dyert e fabrikës ishin mbyllur nga brenda prej protestuesve, që nuk pranonin të negocionin. Pas disa negociatash, situata është qetësuar, ndërkohë që FNSH ka ndërhyrë, duke shoqëruar organizatorët e protestës.


Banorët


Protestuesit, banorë të Fushë-Arrësit kanë dalë me bukë në duar për të protestuar kundër kompanisë që ka marrë me koncesion fabrikën e pasurimit të bakrit. “Kërkojmë të punësohet edhe pjesa tjetër e lagjes. Jemi banorë të së njëjtës zonë, disa kanë 10 kamionë dhe bëjnë lekë, disa nuk kanë bukë të hanë, sepse janë pa punë. Firma turke merr njerëz nga Turqia, i punëson këtu dhe ne na lë pa punë”, tha njëri prej protestuesve. “Nuk ka më këtu as turk, as pakistanez, asnjë nuk do ketë këtu, përveç nesh që jetojmë”, thotë një tjetër protestues. “Unë jam përfaqësues i lagjes dhe kryetar i lagjes. Kam kohë që negocioj me firmën, pushtetin vendor e atë qendror dhe kemi bërë marrëveshje me mirëkuptim dhe procesverbal me të drejtat e lagjes. Asnjë pikë e marrëveshjes, as ajo e ndotjes së tokës, së ujit, së ajrit nuk janë rishikuar nga firma, por as punësimi i banorëve, që ishte më kryesorja”, deklaroi një tjetër protestues.


Ambasada


Pas përfundimit të protestës, gjendja në fabrikën e bakrit është rikthyer në normalitet, ndërkohë që menjëherë ka nisur përllogaritja e dëmeve. Fabrika, aktualisht është marrë në mbrojtje nga FNSH, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa nga personat, të cilët organizuan protestën e djeshme, e cila pati edhe momente dhune. Ndërkohë, përfaqësues të ambasadës turke kanë mbërritur në fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës, pas protestës të shqetësuar për dëmtimin e flamurit turk. Përfaqësuesit e ambasadës janë shoqëruar edhe nga përfaqësues të Avokatit të Popullit. Re. Rre.