Prokuroria e Lushnjës deklaroi se Arjan Alla nuk e ka vrarë me paramendim vjehrrin e myftiut



Gjykata e Lushnjës ka lënë në burg 38-vjeçarin Arjan Alla, i cili u akuzua për vrasjen e bashkëfshatarit të tij 86-vjeçar Shemshir Muça, të premten e javës së kaluar në xhaminë e Dushkut. I prangosuri është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie dhe seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura. Fillimisht ka qenë prokurorja Merita Selimi, ajo e cila i ka kërkuar trupit gjykues vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të Allës dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat ndaj tij. Nga burime të gazetës është mësuar se prokurorja ka deklaruar se shtetasi Arjan Alla është njohur nga dëshmitari që e gjeti në vendin e ngjarjes me duart në fytin e viktimës. Gjithashtu, gjykatës i është vënë në dispozicion edhe dëshmia e vetë të arrestuarit, i cili e ka pranuar krimin dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes. Po ashtu mësohet se Prokuroria e Lushnjës ka kërkuar që të kryhet ekspertimi psikik i 38-vjeçarit Alla. Ndërsa mbrojtja e të prangosurit ka kërkuar që të merret parasysh fakti që 38-vjeçari e ka qëlluar me thikë në gjaknxehtësi e sipër të moshuarin dhe se vrasja nuk ka qenë e paramenduar. Ligjori i Allës ka theksuar se klienti i tij shfaq probleme të theksuara mendore. Pasi gjyqtarja e çështjes Klodjana Mema ka dëgjuar palët i ka dhënë fjalën edhe të dyshuarit. Ky i fundit ka thënë se ka shkuar për t’u falur dhe nuk ka pasur si qëllim që të vriste askënd. Por Alla ka shtuar se 86-vjeçari Muça e ka acaruar në një moment me pyetjet e pavenda, duke bërë që të humbasë kontrollin e ta godasë me grusht duke e rrëzuar përdhe. Më tej i pandehuri ka shtuar se kur ka parë që viktimës i doli biçaku nga brezi, një fuqi e brendshme që nuk e kontrollonte dot e ka shtyrë të kryejë aktin e vrasjes. Pas rreth 15 minutash ka përfunduar seanca gjyqësore e caktimit të masës së sigurisë ndaj Allës dhe më pas është kryer shoqërimi i tij për në qelitë e paraburgimit. Asnjë prej familjarëve të Allës dhe të 86-vjeçarit Shemshir Alla nuk ka qenë i pranishëm dje në gjykatë. Nga burime të gazetës mësohet se prokuroria do të vijojë hetimet për të konkluduar në motivin e vërtetë të ngjarjes. Mësohet se do të analizohet edhe deklarata e myftiut të Lushnjës, Tomorr Boriçi, dhëndrit të Shemshirit, i cili pohoi se vrasja e 86-vjeçarit ishte një mesazh i drejtuar kundrejt tij. Gjithashtu do të verifikohet e kaluara e të arrestuarit dhe gjendja e tij mendore, pohojnë burimet. I moshuari 86-vjeçar Shemshir Muça u ekzekutua pasditen e së premtes së javës së kaluar në ambientet e xhamisë së fshatit Dushk-Sektor. Fillimisht policia ngriti dyshimet për një vetëvrasje të mundshme, por pas mbledhjes së dëshmive dhe provave, kjo pistë u rrëzua dhe si autor i dyshuar i vrasjes u arrestua 38-vjeçari Arjan Alla, i cili ishte kthyer nga Greqia një ditë para ngjarjes. E. Hoxhaj