Botërori
Shorti: Luajmë kundër Norvegjisë, Holandës, Belgjikës, Portugalisë dhe Greqisë
Më në fund, Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll ka mësuar dje kundërshtarët e saj pas shortit eliminatoreve të Botërorit që do të zhvillohet në Kanada në 2015. Shqipëria do të bëjë pjesë në grupin e 5-të dhe nuk do të ketë përballje aspak të lehta, kur dihet se kjo është pjesëmarrja e saj në këtë kompeticion. Goglat e shortit kanë vënë përballë vajzave kuqezi të drejtuara nga Altin Rraklli rivalë shumë herë më potencialë si Norvegjia, Holanda, Belgjika, Portugalia dhe Greqia. Vështirësinë e këtij grupi e ka komentuar menjëherë më pas edhe vetë trajneri Altin Rraklli, i cili gjithsesi beson se sido që të shkojnë punët, Shqipëria nga këto eliminatore do të dalë vetëm se e fituar. “Ky ishte grupi më i fortë i mundshëm të paktën nga emrat, u shpreh dje tekniku i vajzave kuqezi. Nuk i njohim kundërshtarët, por aq sa jemi informuar në letër për ta, janë skuadrat që kanë dominuar futbollin për femra ndër vite. Ne kemi fituar një ndeshje miqësore kundër Greqisë, por kjo nuk ka asnjë domethënie, sepse grekët kanë shumë më shumë eksperiencë. Çfarëdolloj rezultati që ne do të marrim në këtë grup, për ne do të jetë një ecje përpara, e cila do të na përmirësojë si skuadër”, përfundoi trajneri i Kombëtares tonë për femra. Ndeshjet në grupe do të zhvillohen nga 20/21 shtator 2013 deri në 17 shtator 2014 me sistem vajtje-ardhje. Vendet e para nga shtatë grupet eliminatore do të kualifikohen automatikisht, ndërsa kualifikohen edhe katër vendet e dyta më të mira. Kualifikohen direkt vetëm skuadrat e para të çdo grupi, ndërsa katër skuadrat e dyta më të mira do të shkojnë në “play-off”.
Botërori 2015
Eliminatoret
Grupi 5
Norvegjia
Holanda
Belgjika
Portugalia
Greqia
SHQIPËRIA