Akademikët “ngujohen”
Këshilli Ndërakademik i gjuhës shqipe ka zhvilluar dje takimin deri në orët e vona të pasdites, por jashtë syrit të medias. Mbledhjet e mëparshme të këshillit kanë qenë të hapura për gazetarët, ndërsa dje, akademikët ishin kujdesur për të “mbyllur” çdo dritare që mund t’i lidhte me shtypin, duke fshehur dhe vendin ku po mbahej takimi. Nëse në rend të diskutimeve kanë qenë çështja e drejtshkrimit, “mbyllja” e derës për gazetarët të lë të mendosh mbi atë çfarë realisht ka qenë arsyeja e këtij takimi. Në një intervistë disa ditë më parë, profesor Jani Thomai u shpreh se do të preken katër çështje gjatë këtij takimi: ajo e drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar; e drejtshkrimit të disa fjalëve me l ose me ll; e drejtshkrimit të disa fjalëve që kanë dyshkronjësha; dhe e disa fjalëve me togje zanoresh, ua, ue, oo si zooteknik, etj.”. Sipas informacioneve, Këshilli Ndërakademik do të dalë sot në orën 10.00 në një deklaratë për shtyp rreth konkluzioneve që kanë dalë nga kjo mbledhje. Debatet e ngritura vitet e fundit në duhet prekur apo jo standardi kanë sjellë dhe largim nga radhët e këshillit ndërakademik. Pas dorëheqjes të muajve më parë të Emil Lafes, një tjetër anëtar i këtij këshilli ka deklaruar dje largimin. Anëtari i grupit të punës për drejtshkrimin Rahmi Memushi ka dhënë dje publikisht dorëheqjen. Memushi, ashtu si dhe Lafe muaj më parë, është shprehur kundër propozimeve të bëra nga specialistët për ndryshimet në drejtshkrim. Qëndrimet e tij Memushi i shprehu përmes një letre të hapur. “Ndihem tepër i shqetësuar për rrugën e gabuar të ndjekur nga ai Këshill për jetësimin dhe miratimin e këtij projekti. Si njohës i problemeve të normës drejtshkrimore dhe i problemeve të planifikimit gjuhësor, jam shumë i bindur për pasojat negative që mund të sjellë përpjekja për ta zbatuar këtë projekt duke ndjekur praktika të gabuara. Për këtë arsye e shoh të nevojshme të ngre para jush shqetësimet e mia. Rivlerësimi i normave është një nga objektivat e fazës së kultivimit në të cilën ka hyrë tashmë gjuha standarde shqipe. Por rivlerësim do të thotë përmirësim i atyre pikave të normës që nuk qëndrojnë qoftë nga pikëpamja e sistemit, qoftë nga pikëpamja e prirjeve të zhvillimit të gjuhës. Mirëpo nga pjesa e parë e projektit të miratuar prej Këshillit Akademik del se nuk është fjala për përmirësime, po për ndryshime të thella të drejtshkrimit që prekin bazën e gjuhës standarde, ndryshime që nuk duhet të guxohet t’i bëhen shqipes”, thuhet në letër. Këshilli Ndërakademik i Gjuhës është një grup pune i themeluar në vitin 2004 me një marrëveshje mes dy Akademive të Shkencave, asaj të Prishtinës dhe të Tiranës. Sipas vendimit të themelimit mblidhet, ai mblidhet 3 herë në vit, një vit në Tiranë e një në Prishtinë. Ky këshill është një organ me autoritet shkencor që merr përsipër shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin e zhvillimin e shqipes standarde. Vendimi i themelimit i cakton qartë të drejtat e tij. Ai është nënshkruar nga dy kryetarët e akademive: Ylli Popa për palën e Tiranës dhe Rexhep Smajli për Prishtinën. Kur kanë kaluar rreth 40 vite nga Kongresi i Drejtshkrimit, kërkesat për rishikim të standardit, parë kjo nga këndvështrime të ndryshme, kanë qenë pafund. Debati më i madh u hap tri vite më parë, në 2010-n, Kur Qendra e Studimeve Albanologjike mbajti konferencë shkencore për këtë çështje. Këshilli përbëhet nga 22 anëtarë, profesorë, akademikë e studiues të njohur të gjuhës shqipe. Nga AShSh janë anëtarë: Shaban Demiraj, Jani Thomai, Ethem Lika, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Enver Hysa, Emil Lafe (i dorëhequr); Shezai Rrokaj, Gjovalin Shkurtaj; Tomorr Osmani dhe Mehmet Çeliku. Nga AShAK janë anëtarë: Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Idriz Ajeti, Shefkije Islamaj, Bardh Rugova, Isa Bajçinca, Fadil Raka, Abdullah Zumberi, Imri Badallaj. Shqiptarët e Maqedonisë përfaqësohen nga Remzi Nesimi dhe arbëreshët e Italisë, nga Francesco Altimari.