Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në një takim në Pukë, ku u prezantua edhe kandidatja për deputete i LSI-së në Pukë, Sajmira Laçi. Në fjalën e tij para qytetarëve pukjanë z. Meta deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim është forcë e së ardhmes. Sipas tij LSI është e njerëzve që guxojnë në emër të saj.
Ai deklaroi më tej se LSI i qëndroi me korrektesë maksimale marrëveshjes me Partinë Demokratike por natyrisht që çdo marrëveshje ka kohën e saj dhe në momentin që koha e kësaj marrëveshjeje përfundoi. “Ne u ndamë si qytetarë me Sali Berishën dhe me Partinë Demokratike, pavarësisht se ai e ka të vështirë të ndahet në këtë mënyrë. Ne jemi të bindur se duke ndërtuar një koalicion të ri, ne i japim një mundësi të madhe Pukës dhe gjithë Shqipërisë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit evropian”, u shpreh Meta.
Duke u ndalur për rastin më të fundit të dhunimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Meta tha se kjo u bë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Perëndimin. Sipas tij kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i qartë i një pseudomaxhorance që po perëndon me fytyrën dhe mendjen nga Lindja. “Rasti më i fundit i sjelljes së Berishës me Kushtetutën, me Kodin, me KQZ-në veçse përforcon të gjitha argumentet tona se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, se vendi e ka të pamundur të ecë më shpejt përpara përmes një qendre të vetme politike që kontrollon të gjitha institucionet, në një shtet demokratik ku ato duhet të jenë të pavarura”, tha ai.
17 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)