Gjykata e Lezhës lë në burg mësuesin: Nuk abuzova me nxënësen
Më 14 mars, një faqe në “Facebook” kishte paralajmëruar ngacmimet seksuale në shkollën “Bardhok Biba”
Ardian Bushi
Gjykata e Lezhës ka lënë në burg mësuesin e dyshuar për tentativën e përdhunimit të një nxënëseje të mitur, por nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria, duke pretenduar se gjithçka është inskenuar nga prindërit e vajzës, pasi nuk kanë qenë të kënaqur me notën që ajo ishte vlerësuar. Por, pavarësisht arrestimit të Dedë Gjinit pas denoncimit të prindërve të vajzës, alarmi për pedofilë në shkollën “Bardhok Biba” në Rrëshen, ku punonte edhe i dyshuari ishte dhënë një muaj më parë nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Alarmi ishte lëshuar nga administratori i faqes “Mirdita Bashkuar”, ndërkohë që drejtoresha e shkollës kishte kërkuar ndihmën e komunitetit dhe të nxënësve për të identifikuar pedofilët e dyshuar, siç mendohet se ka qenë edhe Gjini, i cili gjatë masës së sigurisë në Lezhë, nuk u vizitua nga asnjë familjar i tij.
Masa e sigurisë
Dedë Gjini, 63 vjeç, është paraqitur në gjykatë dje, rreth orës 10.00. Në seancë, Gjini është shoqëruar vetëm nga punonjësit e burgut të Shënkollit, të cilët edhe e kanë sjellë nga dhomat e paraburgimit për në gjykatë. Pas hapjes së seancës, 63-vjeçari është njohur me akuzat zyrtare të prokurorisë, të bazuara në dëshminë e nxënëses së tij dhe familjarëve të saj. Prokuroria e Lezhës, duke u bazuar në dëshminë e 15-vjeçares, është shprehur se Dedë Gjini ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike mbi nxënësen e tij. Sipas akuzës, Gjini nuk duhej ta ftonte kurrsesi 15-vjeçaren të vetme në shtëpi. Nëse do ta ftonte për përmirësimin e notës, ai duhej ta kryente provimin në shkollë dhe jo në shtëpi. Po kështu, mësuesi, përveç tentativës për përdhunim, akuzohet edhe për kërcënimin e 15-vjeçares, pasi sipas prokurorisë, i ka kërkuar asaj të mos tregonte në shtëpi tentativën e tij. Një tjetër pikë kyçe për prokurorin ka qenë edhe gjendja në të cilën është gjetur vajza dhe orari i mbajtjes së saj në shtëpi. Sipas policisë, V. F. është gjetur e zhveshur. Duke u bazuar në këto të dhëna, prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për Gjinin. Kërkesën e ka pranuar edhe Gjykata e Lezhës. Të pranishëm në masën e arrestit kanë qenë shumë forca policie, për të mbrojtur mësuesin nga ndonjë kërcënim, apo sulm i mundshëm nga të afërmit e 15-vjeçares.
I dyshuari
Nga ana tjetër, Gjini nuk e ka pranuar akuzën, duke u shprehur se V. F kishte shkuar vetë në banesën e tij, për të ripërsëritur provimin. “Për pjesën që thotë prokuroria se e kisha futur për të pastruar shtëpinë, dua të them se këtë veprim, ajo e ka bërë me dëshirën e saj, e pandikuar nga unë. Në asnjë moment nuk kam ushtruar dhunë si psikologjike, por edhe fizike dhe as e kam kërcënuar. Fiziku im do më jepte mundësi që unë të veproja deri në ekstrem, po të tentoja një gjë të tillë, por as nuk e kam çuar në mëndje, pasi ajo është me moshë sa fëmijët e fëmijëve të mi dhe për më tepër është nxënësja ime. Ajo është shtyrë nga familjarët e saj, pasi i kam vendosur notën që meritonte dhe ata nuk kanë dashur të vlerësohet me notën reale, por t’i vendosja notën në mënyrë të padrejtë”, është shprehur Gjini gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, megjithatë gjykata ka vendosur që ai të mbahet në burg deri në përfundim të hetimeve.
Denoncimi
Rasti i mësuesit 63-vjeçar që tentoi të përdhunonte nxënësen e tij 15-vjeçare në qytetin e Rrëshenit duket se ka qenë i paralajmëruar. Në rrjetin social “Facebook” në faqen “Mirdita e Bashkuar”, në datën 14 mars është publikuar shqetësimi i adoleshentëve për mësuesit që krijojnë situata banale e dhunë psikologjike te fëmijët. Administratori i faqes “Mirdita e Bashkuar” ka shkuar se nxënës të shkollës së mesme në Rrëshen kanë rënë pre e dhunës psikologjike dhe janë ngacmuar seksualisht. Ndërsa dy ditë më pas, më 16 mars, drejtoresha e shkollës së mesme “Bardhok Biba” në Rrëshen, Valbona Reçi, në po të njëjtën faqe në rrjetin social ka kërkuar bashkëpunimin e nxënësve për identifikimin e mësuesve pedofilë.