Lulzim Koka qëllohet me katër plumba, para disa vitesh i vranë vëllain. Dyshime edhe për ngjarjet në Shkodër


vrasjaNjë atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen së martës, pranë liqenit të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40, në një lokal tek Garda e Republikës, duke lënë të plagosur rëndë biznesmenin Lulzim Koka, 35 vjeç. I plagosuri është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i plagosur aksidentalisht edhe efektivi i Gardës së Republikës, Rifat Rustemi, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Plumbi i ka prekur këmbën dhe plaga nuk është serioze. Koka dhe Rustemi kanë qenë në të njëjtën tavolinë, për të pirë kafenë e pasdites jashtë ambienteve të lokalit. Papritmas një person, rreth 25 vjeç është afruar drejt Lulzim Kokës duke e qëlluar katër herë me pistoletë. Atentatori është larguar, në momentin që e ka parë Lulzim Kokën të shtrirë për tokë dhe të larë me gjak, duke u bindur se ia ka arritur qëllimit. Sipas dëshmitarëve okularë, autori i krimit të dyfishtë është larguar në këmbë, në drejtim të Kodrave të Liqenit. Mësohet se atentatin e ka kryer i vetëm. Mosha e kriminelit është rreth 25 vjeç dhe mbante veshur tuta sportive, bluzë ngjyrë të kuqe dhe atlete të bardha. Në kokë kishte vënë një kapuç, duke e bërë të vështirë identifikimin e tij. Skena e krimit ka ngjallur panik tek banorët e zonës. Ata kanë parë dy persona të shtrirë përtokë. Lulzim Koka njihej si banor i lagjes dhe të njohurit janë afruar që t’i japin ndihmën e parë. Gjithashtu kanë thërritur edhe familjarët e 35-vjeçarit, të cilët jetonin në pallatin përballë lokalit ku ndodhi atentati.


 


Polica


Banorët e zonës kanë telefonuar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur disa gëzhoja pistolete të tipit TT. Strukturat e policisë si dhe të Krimeve të Rënda janë vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e autorit të krimit. Në Tiranë janë ngritur shumë patrulla policie, duke ndalur persona që kanë disa ngjashmëri me autorin, të bazuara nga përshkrimet e dëshmitarëve. Gjithsesi polica nuk ka një identikit të saktë të atentatorit. Me dhjetëra persona janë shoqëruar, për të dhënë dëshmi rreth asaj që ka ngjarë. Edhe familjarët u janë nënshtruar pyetjeve me orë të tëra nga grupi hetimor. Ata kanë deklaruar në polici se para disa vitesh, Lulzim Kokës i është vrarë vëllai në qytetin e Beratit. Nuk dihet nëse ky është qëllimi i atentatit. Mësohet se Lulzim Koka njihet si person problematik. Një ndër pistat kryesore është për larje hesapesh, por kjo nuk është e vetmja. Burime jozyrtare thonë se 35-vjeçari dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e Edmir Koçisë, ngjarje e ndodhur nëntorin e vitit të kaluar. Ky i fundit ka rënë pre e një atentati, para derës së shtëpisë në qytetin e Shkodrës. Probleme të hapura Koka ka pasur edhe në biznesin që drejtonte në sektorin e ndërtimit. Policia po sheh me vëmendje të gjitha pistat e mundshme, për të zbardhur ngjarjen. Silvana Muça