Shumica e re në Këshillin Bashkiak të Tiranës zyrtarizon nismën politike
Lëvizjet – Me aleancën e re vendore PS-LSI, pjesa më e madhe e këshillave të njësive vendore të kryeqytetit kanë kaluar automatikisht në favor të së majtës.
Fatjona Mejdini
Anëtarët socialistë dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, janë mbledhur dje për të zyrtarizuar aleancën e tyre, e cila ka si synim vendosjen e mazhorancës së re të majtë në organin kyç të bashkisë më të madhe në vend. Kjo u bë e ditur dje, përmes një mbledhje vendimmarrëse që u zhvillua nga 31 këshilltarët e PS-së dhe LSI-së e drejtuar nga kreu i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri. Në mbledhje u vendos që anëtarët e bashkuar të këtij këshilli të shkarkonin kreun aktual të tij, demokratin Njazi Kosovrasti, dhe në vend të tij të votohej kreu i grupit socialist në këtë këshill, Aldrin Dalipi. Tahiri e konsideroi këtë lëvizje të rëndësishme, si një garanci për t’i vëne fre dhunës së Sali Berishës, e cila është përhapur në çdo institucion dhe që përfshin edhe Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, krerët e grupeve të PS-së dhe LSI në këtë këshill e cilësuan lëvizjen si të nevojshme për të bërë të mundur respektimin e zërit të qytetarëve. Mënyra sesi mblidhet Këshilli Bashkiak parashikohet në nenin 36 të ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, ku përcaktohet qartë se mbledhja e këshillit mblidhet kur këtë e kërkojnë 1/3-a e anëtarëve ose kryetari. E majta që përbën shumicën në këtë këshill, pret që brenda 10 ditëve, kreu aktual Kosovrasti të shpallë mbledhjen e radhës për të diskutuar pikërisht shkarkimin e tij. Kosovrasti është njëkohësisht dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Tahiri
Kreu i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri, tha se kjo lëvizje motivohej pikë së pari politikisht. Sipas Tahirit, dhuna gjenerohet nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe ajo zbret në të gjitha institucionet dhe nivelet e tjera. Ai theksoi se opozita nuk kishte ndërmend t’i lejonte Berishën të dominonte bunkerin e tij të fundit, pushtetin vendor. “Bunkeri i fundit që i kishte ngelur Sali Berishës deri më sot ishte pushteti vendor. Bunkeri i fundit ku mund të strehoheshin të gjithë ata që e kanë çuar nëpër mend që mund të manipulojnë zgjedhjet. Të gjithë ata, që e kanë çuar nëpër mend se me votën e qytetarëve mund të bëjnë në datë 23 çfarë të duan”, deklaroi Tahiri, duke shtuar se kjo gjë nuk do të lejohej. Ai theksoi se e majta ishte e vendosur për të bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që të ishte shumicë në çdo njësi vendore dhe se ky do të ishte një reaksion zinxhir për t’i hequr mundësitë e fundit Berishës dhe manipulatorëve të tij.
Anëtarët
Kreu i grupit socialist në këtë këshill, Aldrin Dalipi, e konsideroi këtë lëvizje në dobi të qytetarëve shqiptarëve. “Kjo shumicë do të ketë vetëm një qëllim kryesor, qëllimin që t’u shërbejmë qytetarëve me vendimmarrjen tonë. Ky ka qenë qëllimi ynë në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës apo edhe në këshillin qendror për këta muaj të të qenët në opozitë”, theksoi Dalipi. Nga ana e tij, kryetari i LSI-së për Tiranën, njëkohësisht kreu i këtij grupi politik në këshill, Shezai Rrokaj, theksoi se kjo lëvizje ishte normale, për shkak se vota e qytetarëve shkonte atje për ku ishte nisur. “Kemi gjithë energjinë e duhur që t’i garantojmë qytetarët e Tiranës, por edhe më tej, qytetarët e Shqipërisë se kjo votë do të garantohet, vota do të shkojë atje ku ajo e ka marrë destinacionin e saj prej qytetarit”, deklaroi Rrokaj.
Arsyet e kërkesës për shkarkim:
- Për drejtimin jo korrekt e në kundërshtim me ligjin, si dhe për injorimin dhe shurdhërinë ndaj interesave e zërit të qytetarëve.
- Në kushtet e konfiguracionit të ri politik të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe domosdoshmërinë për të përfaqësuar qytetarët, si dhe për t’i kthyer legjitimitetin demokratik të këtij këshilli.