Spastrimet


Inspektorët në shkolla, afati i largimit deri në fund të prillit, në të kundërt firmosen largimet


Lorina Mixha


zyre shteti administrateTë gjithë anëtarët e Partisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, që aktualisht janë shefa sektori, drejtorë drejtosh, shefa personeli, apo janë primarë të një institucioni apo ndërmarrje duhet të japin dorëheqjen. Afati i përfundimtar është java e fundit e muajit prill, si për të mbyllur kontratën me institucionin, për të marrë rrogën e fundit, por edhe për t’u larguar me dinjitet pas ndryshimeve politike dhe prishjes së marrëveshjes mes LSI-së dhe PD-së.


Krerët


Drejtuesit e drejtorive arsimore, shefat e sektorëve në institucionet shëndetësore, por edhe një pjesë e mirë e drejtorëve të shkollave, nëndrejtorëve apo shefave të personelit në drejtoritë arsimore janë njoftuar se shefat e “mëdhenj” presin prej tyre dorëheqjen deri në fund të muajit në të kundërt largimi i tyre do të bëhet zyrtarisht nëpërmjet shkresave sa herë të gjendet një gabim apo motivacion për të bërë gati “valixhet”.


Me nisjen e kësaj jave në shkollat e të gjithë vendin inspektorët kanë shkuar në çdo institucion arsimor për të shpërndarë fjalën, por edhe për të marrë të dhëna të sakta lidhur me numrin e përfaqësuesve të LSI-së, mundësitë e fundit për emërime e zëvendësime deri në muajin shtator, kur mendohet se do të jetë vendosur përfundimisht se cila forcë politike do të drejtojë vendin e cilat do të jenë veprimet e radhës.


Marrëveshja


Në arsim, sipas marrëveshjes së dy viteve më parë, mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, në institucionet qendrore do të kishte të punësuar 70 për qind përfaqësues të PD-së dhe 30 për qind përfaqësues të LSI-së. Deri tani është pritur që ky 30 për qind, sidomos në poste drejtuese, drejtorë drejtorish, shefa sektorësh, përgjegjës apo drejtorë e nëndrejtorë të përgjithshëm të japin dorëheqjen në mënyrë vullnetare.


Afati i lënë në dispozicion në formën e marrëveshjes së xhentilëve, për sa kohë është bashkëpunuar në qeverisjen politike vitet e fundit, është java e fundit e muajit prill. Por në rast se përfaqësuesit e LSI-së nuk do të mbledhin mendjen dhe të firmosin dorëheqjen atëherë, pas gjetjes së motivacionit do të bëhen gati dhe do të firmosen shkresat e largimit të tyre.


Javën e fundit, nga e hëna e deri dje, inspektorë të drejtorive arsimore kanë nisur inspektimet në institucionet arsimore, shkolla 9-vjeçare, gjimnaze, profesionale e artistike për të parë situatën nga afër, për të komunikuar me përfaqësuesit e LSI-së, si dhe për t’i çuar mesazhin e fundit. Më të drejtpërdrejtë kanë qenë krerët e emëruar së fundmi në krye të institucioneve shëndetësore. Drejtuesit u kanë komunikuar qartazi: “Jeni lodhur shumë këto kohë, duke punuar edhe me tre turne, prandaj pres brenda një kohe të shkurtër shkresat ku të jepni dorëheqjen tuaj”. Në drejtoritë arsimore në të gjithë vendin përfaqësuesit e LSI-së u kanë lënë kryesisht të drejtojnë sektorin e burimeve njerëzore apo të njohur me emërtesën e “shefit të administratës”.


 


Të dhëna


Largimi – Afati i fundit është lënë java që mbyll muajin prill. Në rast se dorëheqjet nuk dorëzohen brenda këtij afati fillon “sezoni” i gjetjes së motivacionit dhe largimeve


Marrëveshja – Sipas marrëveshjes politike të LSI-së dhe PD-së, në institucione dhe poste drejtuese do të punësoheshin 30% LSI dhe 70 për qind përfaqësues të PD-së


Inspektimet – Këtë javë në shkollat e vendit janë paraqitur inspektorët e arsimit për të parë dhe vlerësuar situatën e largimeve dhe mundësinë e punësimeve të reja