berisha ne permetNë kuadrin e një turi përurimesh në jug të vendit kryeministri Sali Berisha është ndalur mëngjesin e sotëm në Përmet, ku ka qenë i pranishëm në inaugurimit të shkollës 9 vjeçare ‘Meleq Gosnishti’ të qytetit.


Kryeministri ka ritheksuar se arsimi mbetet prioritet i qeverisë së tij si në investimin e ndërtimit të shkollave të reja, ashtu edhe në rritjen e pagave të mësuesve, por nuk la pa sulmuar edhe opozitën dhe kreun e saj, Rama të cilit sipas tij i ka mbetur ora 100 vjet prapa dhe se me deklaratat e tij fyen dhe cenon nxënësit e shkollave në vend.


“Gjatë këtyre viteve kemi ndërtuar më tepër se 1300 shkolla në të gjithë vendin. Mësuesi ka një rol të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Ata që krahasojnë mësuesit me 100 vjet më parë u them të vijnë dhe të shikojnë një orë mësimi. Atyre njerëzve u ka mbetur ora 100 vjet prapa duke fyer mësuesit e vendit”, tha Berisha.


Më tej kreu i qeverisë deklaroi se do të bëhet gjithçka nga ana e qeverisë së tij për të luftuar deri në fund analfabetizmin dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies.


Berisha përuron rrugën Picar-Golem: Rama vuan nga psikologjia e karriges


Po ditën e sotme kryeministri Berisha ka udhëtuar edhe drejt Gjirokastrës, për të inauguruar fillimin e punimeve të rrugës Picar-Golem si dhe për të zhvilluar  një bashkëbisedim me studentë të universitetit të Gjirokastrës.


Në fjalën e tij me këtë rast, Berisha risolli edhe në herë në vëmendje arritjet e qeverisë së tij në kuadër të infrastrukturës rrugore, çka ka ndodhur sipas tij në sajë të rritjes ekonomike që ka pësuar vendi.


Berisha nuk e ka kursyer ironinë ndaj kundërshtarit politik, Edi Rama, i cili sipas tij vuan nga psikoza e karriges dhe pushtetit, si rrjedhojë e psikologjisë nga bunkeri i bllokut ku është rritur. ‘Por s’mund të jesh edhe qeveri edhe opozitë”, tha kryeministri.


Duke iu referuar koalicionit më të ri PS-LSI, Berisha u shpreh se ky koalicion është pagëzuar nga kontrabandisti Nard Koka dhe se ‘atyre do u mbesin në fyt halat e ngjalave’.


19 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)