Anëtari i PBDNJ-së solidarizohet me dorëheqjet e kolegëve të opozitës
Jani – “Mazhoranca aktuale haptazi ka ndërmarrë veprime që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni, duke shkelur ligjin”
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pushtohet nga kriza. Tashmë ky institucion do të drejtohet dhe menaxhohet vetëm nga përfaqësuesit e mazhorancës. Dje paradreke, anëtari Jani Jani, i propozuar nga PBDNJ, si parti e opozitës, bëri publike ngrirjen e marrëdhënieve me këtë institucion. “Për arsye të situatave të krijuara dhe në pritje të një reflektimi real, të dukshëm të politikës për të hequr dorë nga tentativat për të cenuar pavarësinë e këtij institucioni, si dhe në shenjë solidariteti me kolegët e mi, deklaroj ngrirjen e veprimtarisë time formale në KQZ”, deklaron Jani. Qëndrimi i tij erdhi nga ngjarjet e fundit, siç ishte shkarkimi i Muhos nga Kuvendi dhe dorëheqja e dy anëtarëve Biba dhe Shtylla. “Kam pranuar me dëshirë detyrën e anëtarit të KQZ-së, vetëm e vetëm për të kontribuar në proceset zgjedhore dhe për të përmirësuar imazhin e vendit në ëndrrën tonë europiane, dhe për këtë jam betuar që detyrat e mia do t’i kryej me paanshmëri, në mënyrë të pavarur dhe gjithmonë në përputhje me ligjin. Përveç kësaj, në asnjë rast nuk harroj se, dua s’dua, në këtë post përfaqësoj dhe komunitetin grek në Shqipëri, një komunitet që ka kontribuar në të gjitha fazat historike të këtij vendi. Kam besuar se ajo që shprehet në ligj nuk është e detyrueshme vetëm për ne, por edhe për politikën. Për fat të keq konstatoj, duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit se forca të caktuara politike dhe konkretisht mazhoranca aktuale haptazi ka ndërmarrë veprime që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni duke shkelur ligjin”, deklaron Jani. Ai ka vlerësuar aktin e dorëheqjes së dy kolegëve të tij si zgjedhje të drejtë të bindjes së tyre. Ndërkohë që Jani nuk ka argumentuar se çfarë nënkupton me ngrirjen e marrëdhënieve, pasi Kodi parashikon se mandati i anëtarit të KQZ-së i skadon kur nuk merr pjesë në dy mbledhje radhazi, pa arsye, si dhe kur mungon për pesë ditë në periudhë zgjedhore. Kjo nuk e pengon KQZ të mblidhet në mbledhjen e saj me katër anëtarët Lleshi, Zguri, Osmanaj dhe Shtjefni, duke krijuar kuorimin e nevojshëm. Ndërkohë që çështja shtrohet nëse Kuvendi mund të marrë një vendim për shkarkimin e Janit si anëtar, në rast se konstatohet se ai mungon për shkaqe të parashikuara në Kodin Zgjedhor. PBDNJ nuk e ka përcaktuar nëse do jetë në koalicionin opozitar, do të krijojë një pol të ri politik, apo do dalë së bashku me PD-në.
KQZ thërret mbledhjen
Pavarësisht se KQZ-ja në plan të parë duket e rrënuar, pasi janë dorëzuar tre nga shtatë anëtarët të opozitës kryesore, ky institucion po tenton të japë sinjale se ekziston ende. KQZ ka njoftuar publikisht një mbledhje për sot, duke treguar se pavarësisht se PS-ja nuk ka përfaqësim me anëtarë të saj, institucioni vazhdon normalisht punën. Gazeta “Shqip” u mundua të kontaktojë me kryetaren Lleshi për të marrë një mendim për këtë largim të kolegëve të saj, por ajo nuk u përgjigj. KQZ-ja ka parashikuar shqyrtimin e kandidaturave të pavarura për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndër emrat e paraqitur të bie në sy kandidimi i Skënder Tufës, ish i përndjekuri.