Bien të ardhurat, por edhe investimet. Berisha: Jemi të parët. “Hiqni dorë” nga FMN
ARD KOLA
Jo vetëm që nuk po kapim planin, por financat e shtetit janë duke performuar më keq se në vitin 2012, periudhë kjo, e konsideruar nga ekonomistët, si më e vështira. Të ardhurat rezultojnë rreth 3 miliardë lekë më pak se viti i mëparshëm, për periudhën janar-mars, gjithashtu edhe investimet kanë rënë me 1.4 miliardë lekë, gjithnjë në raport me 2012-n.
Situata paraqitet alarmante, me rënie të vazhdueshme të të ardhurave nga taksat. Ndërsa 2012-a e mbylli vitin me rritje 0.1 për qind, në raport me 2011-n, më e ulëta në dhjetë vitet e fundit, tremujori është duke konfirmuar tatëpjetën e buxhetit të shtetit. Sikurse tregohet nga tabela me të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, kemi rënie të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ku taksa e TVSH paraqitet më keq, me minus 10 për qind, të arkëtimeve, në raport me vitin që lamë pas, ose 2.5 miliardë lekë më pak. Në raport me planin, diferencat rezultojnë më negative, duke e bërë të detyrueshme, madje emergjente operacionin e rishikimit të buxhetit të shtetit. Edmond Spaho, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, thotë se një vendim i tillë pritet të miratohet në fillim të muajit korrik, ndërsa priten korrigjime për pjesën e dytë të vitit.
Bashkë me të ardhurat në rënie, qeveria ka shtrënguar dorën e investimeve publike, e kushtëzuar në kriza. Investimet kapitale janë 10 për qind më të ulëta se një vit më parë, ndërsa nevoja e stimulimit të sektorit të ndërtimit me financim bëhet më e madhe, qeveria është duke u përballur me presionin e likuidimit të faturave të prapambetura, në vlerë rreth 20 miliardë lekë.
Sikur të mos mjaftojnë këto lajme pesimiste mbi financat e vendit, vendimet e fundit për qëllime elektorale të uljes së taksave, pritet ta dërrmojnë akoma e më tepër buxhetin, pasi arkës do t’i mungojnë të paktën 25 miliardë lekë, si rrjedhojë e heqjes së TVSH në disa sektorë, apo e tatimit 10 për qind të pagave etj.
Pavarësisht gjendjes së krijuar, Berisha vijon të mbahet fort pas disa shifrave, që sipas tij, në raport me vendet e tjera, e nxjerrin Shqipërinë ndër të parët në botë për performancë pozitive të rritjes ekonomike. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri deklaroi se reformat e ndërmarra nga ai kanë shpëtuar vendin nga kriza, ndërsa nuk ngurroi të komentonte zërat që qarkullojnë së fundmi për një rikthim të FMN-së në Shqipëri, në rolin e mbikëqyrësit pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Duke iu referuar një raporti të fundit të KE-së për ekonominë e vendit, Berisha ftoi zërat pranë opozitës që t’i lexojnë me kujdes të dhënat sesa të merren me faktin “erdhi apo nuk erdhi FMN-në në Shqipëri”.
62.6%
Borxhi – Kryeministri deklaroi dje se borxhi për këtë vit do të jetë 62.6% e PBB-së, por pas 2012 do të merret kthesa për uljen e tij
-5%
Tatimet – Të ardhurat tatimore kanë rënë me 5% në 3-mujorin e parë 2013, në raport me 2012-n, ku TVSH ka kontribuar negativisht me 10%
Malaj
Negociata me FMN – “Pas zgjedhjeve, qeveria e ardhshme do të duhet menjëherë të negociojë me FMN-në, me Bankën Botërore, me bankat e zhvillimit, në mënyrë që të gjejë burime për të financuar ekonominë dhe pastaj në mënyrë graduale të ulë borxhin”, tha dje Arben Malaj
Kuvendi
Kalon kolaterali – Kuvendi i Shqipërisë, pas shumë diskutimesh kaloi dje me votat e të gjitha forcave politike variantin e propozuar nga qeveria për të ulur vlerën e kolateralit në ankandin e dytë, deri në masën 40%, si nevojë për të zhbllokuar kredinë dhe zbutur huat e këqija