Administratori Alimehmeti: “Tani të ndërtojmë një skuadër pretendente për sezonin e ri”


Altin Manallari


Krenar Alimehmeti, ish-trajneri i ElbasanitJanë ende për t’u luajtur edhe katër ndeshjet e fundit të sezonit, që nënkuptojnë 12 pikë në lojë, por Tirana e pozicionuar e gjashta në klasifikim, vetëm 4 pikë larg vendit të tretë, i fundit që të çon në Kupat e Europës, është dorëzuar më në fund. Kampionët rekordmenë të Shqipërisë, pas një sezoni të nisur keq dhe të përfunduar pa realizuar as edhe një nga objektivat e saj, i ka lënë lamtumirën Europa League dhe tani do të mendojë vetëm për ndërtimin e një skuadre të denjë për të luftuar për trofe në sezonin e ardhshëm. Një tërheqje të tillë e ka konfirmuar vetë administratori i bardhebluve, Krenar Alimehmeti, i cili arrin në këtë përfundim pas studimit të bërë mbi situatën aktuale. “Për Tiranën, ky ka qenë një sezon i karakterizuar nga probleme të ndikuara prej faktorëve të ndryshëm, të cilat kanë kushtëzuar edhe skuadrën në rrugën e saj drejt realizimit të objektivave madhorë, analizon drejtuesi i lartë i 24 herë kampionëve. Sigurisht, pavarësisht këtyre problemeve, ne dhe skuadra jemi munduar të bëjmë maksimumin për të fituar të paktën të drejtën për të luajtur në Europa League. Në asnjë moment nuk na ka munguar kjo dëshirë, por në momentin aktual, duke parë situatën, është më mirë të mendojmë për ndërtimin e skuadrës së të ardhmes, asaj që do të jetë e denjë të luftojë për trofe të mëdhenj në sezonin e ri 2013-2014”. Në të vërtetë, deri të mërkurën, si Tirana ashtu edhe Vllaznia, kishin një shpresë të vogël, pasi një finale hipotetike Skënderbeu-Kukësi (që parashikohej si më e mundshmja), do të bënte që kufiri i zonës së Europa League të zhvendosej deri te vendi i katërt në klasifikimin e Superiores. Por kualifikimi për në finale i më të kuotuarve, Laçit dhe Bylisit, duket se e ka shuar këtë shpresë për bardheblutë dhe kuqeblutë. Tani në garë të plotë për dy vendet që të çojnë në kupat e Europës janë tri skuadra, Kukësi (40 pikë), Teuta (39) Flamurtari (39). Për t’u rikthyer te Tirana, ku tashmë energjitë do të spostohen në drejtim të ndërtimit të skuadrës së të ardhmes, një nga hapat e parë e ka hedhur dje vetë administratori bardheblu, Alimehmeti: “U bëj thirrje të hapur të gjithë biznesmenëve, atyre që kanë qenë apo edhe të tjerëve të rinj, që e kanë derën e hapur për të kontribuar te Tirana. Me afrimin e donatorëve dhe konsolidimin e financave, besoj se do të mund të kemi një skuadër pretendente për sezonin e ri”, përfundoi Krenar Alimehmeti.


 


Kërkohen donatorë


“U bëj thirrje të hapur të gjithë biznesmenëve, atyre që kanë qenë apo edhe të tjerëve të rinj, që e kanë derën e hapur për të kontribuar te Tirana”