Si shijon vera shqiptare për një someliere shqiptare në Itali? Natyrisht ajo është diçka më shumë se sa verë, është një pjesë e atdheut dhe një pjesë e këndshme
Enologji
Daniela Meçaj*
Emocionet e atij mëngjesi ia kalonin atyre të shërbimit tim të parë, tanimë i largët në kujtesë. Sot, si kurrë më parë, do të shërbeja verërat e vendit tim në Itali. E jo në një degustim çfarëdo apo në një takim të thjeshtë mes specialistësh. Aroma e verërave shqiptare sot do të ndihej në Panairin Vinitaly, ai që mund të konsiderohet si një nga vitrinat më të rëndësishme të enologjisë botërore.
Gati nuk më besohej që prodhuesit shqiptarë po arrinin të paraqiteshin me kaq dinjitet dhe që verën e tyre do e servirja unë vetë. Është diçka e madhe të shohësh brenda një gote frytet e një kantine, e cila si një pemë që ka vuajtur shumë për të hedhur rrënjët në fillim, ka arritur të mbledhë të gjitha forcat për të rritur trungun, nga i cili kanë shpërthyer hareshëm lule e më pas fruta.
E dija që trafiku i Veronës të hënën në mëngjes ishte tepër i ngarkuar dhe gjumin e bëra me hope, me frikën e vonesës. Degustimi fillonte në orën njëmbëdhjetë, por unë dhe kolegët e mi duhet të ishim në sallë të paktën tri orë para. Disa prej kolegëve, me të cilët do të shërbenim së bashku, udhëtonin atë mëngjes nga Torino. Ndihesha gati në faj për ato 260 kilometra që do të përshkonin për të më qenë në krah në këtë çast të vyer për mua, kur shërbimi duhet të ishte sa më profesional. Kisha bërë ç’ishte e mundur për të arritur një paraqitje të verërave të vendit tim në Vinitaly, e tani nuk mund të tërhiqesha më, edhe pse emocioni po më pushtonte si rrallëherë në punë. Duhej profesionalizëm më i madh, sepse kështu mund t’i jepja edhe një lloj ndihme sado të vogël punës dhe djersës së prodhuesve të verës. E dija se do të qenë të pranishëm edhe gazetarë të specializuar të televizioneve të ndryshme, përveç atyre të gazetave dhe të shtypit me profil enologjinë. Interesi i tyre ishte i justifikuar; për herë të parë bëhej një degustim i tillë i verërave ballkanike. Nuk ishte një garë për verën më të mirë. Ishte një mënyrë e re komunikimi mes 7 vendeve të Ballkanit, ata që historia i ka njohur shpesh si vende në konflikt të vazhdueshëm.
Pranë hyrjes së sallës, herë pas here persona që ishin të interesuar të merrnin pjesë në atë degustim më kërkonin nëse ishte e mundur të merrnin pjesë. Me ndrojtje të madhe dhe keqardhje më duhej t’i zhgënjeja. Prenotimet ishin mbyllur prej gati një muaj më parë dhe organizatorët u kishin dhënë përgjigje negative në telefon mbi 400 personave. Por në atë korridor, takova edhe shqiptarë që kishin ardhur thjesht për të na takuar, sepse, siç më tha një djalë nga Shkodra, “këtë verë mund ta pi me familjen dhe në Shqipëri, por desha të prek emocionet e këtij momenti”.
Në sallën ngjitur unë dhe kolegët e mi kishim provuar të gjitha shishet një e nga një, për të qenë të sigurt që asnjëra prej tyre të mos kishte defekt. Kur ata provuan verërat shqiptare, të habitur u kthyen nga unë e më përgëzuan për verën dinjitoze që mbërrinte nga Shqipëria e Kosova. Isha e sigurt për cilësinë e produkteve të vendit tim, por miratimi i kolegëve më bëri të ndihem më e lehtësuar.
Salla ishte tashmë plot, madje jashtë rregullave u shtuan dhe disa karrige për personat që me durim dhe këmbëngulje pritën gjatë jashtë. Drejtuesi filloi të bënte paraqitjen e prodhuesve dhe verërave. Nga Shqipëria ishte “Kallmet-Rezerva 2007”, e sjellë nga Fran Kaçorri i kantinës “Arbëri”, të cilin kam pasur fatin ta vizitoj. Zoti Kaçorri me familjen jeton në Rrëshen, nuk është shpërngulur në “komoditetin” e Tiranës. Ka ditur të njohë “arin” e tokës së tij. Shpesh ndodh që të kesh përballë një pasuri të madhe, por ndonjëherë mungon shikimi i duhur. Prezantova verën e tij me respektin më të madh, sepse e dija ç’verë përmbante ajo shishe. Përshëndeta Fran Kaçorrin dhe të birin duke mbajtur shishen e tyre në duar sikur të ishte një relike e brishtë. Ndokush mund të buzëqeshë, sepse dukej sikur po prezantoja një vepër arti dhe jo një shishe verë. Por ja që dhe vera është një vepër arti, e krijuar nga transformimi i kokrrave të pjekura të frutës në një pije që zotëron një mori ndjenjash, kujdesi e dashurie. Kur e servir ajo është në gjendje të shpalosë të gjitha këto cilësi. Ashtu siç e prisnim, vera shqiptare ishte e denjë për atë skenë të nivelit të lartë.
Nga Kosova kishte ardhur përfaqësuesja e kantinës “Stone Castle” me verën e tyre “Vranac 2009”. Kjo kantinë, mjaft e re, është ngritur në vitin 2006 në zonën e Rahovecit. Prania e saj në Vinitaly ishte dëshmia e gjallë se, nëse beson dhe i përkushtohesh me mjeshtëri punës, edhe brenda pak kohe mund të arrihen nivele kaq të larta.
Ndihesha krenare. Ndër 7 verëra që u paraqitën, dy flisnin e shijonin shqip.
Kantinat e tjera pjesëmarrëse ishin: Maqedonia, me verën “Rozato Stanušina” (Stanushina), Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina me verën “Vranac”, Kroacia me “Plavac”, Mali i Zi dhe Serbia me “Prokupac”. Të shtatë verërat ishin prodhime nga rrush autokton. Po punohet me pasion dhe këmbëngulje për t’i dhënë rëndësinë dhe vendin e duhur këtyre varieteteve.
Asnjë verë nuk mohonte tjetrën. Secila u paraqit me dinjitetin e saj, duke transmetuar profilin dhe karakterin e prodhuesve. Ishin verëra të forta, siç janë popujt e Ballkanit, por edhe të dashura. Sot vera qe protagoniste. Me dhuntitë e saj, ajo ndoshta afroi e bashkoi popuj që deri dje kanë qenë të ndarë nga konfliktet e mosmarrëveshjet.
*Someliere, Torino