I dëmtuari Algjoni: Më kishin zënë rrugën me gurë
Postieri Zenel Algjoni është goditur me mjete të forta dhe mprehëse, dyshohet për dy persona
Sulejman Dida
Maskat janë rikthyer rrezikshëm në Kukës, duke grabitur dhe plagosur punonjësin e postës, i cili kishte marrë me vete rreth 1.5 milionë lekë për të shpërndarë pensionet. Punonjësi Zenel Algjoni, babai i tre fëmijëve, nga Shëmria e Kukësit është lënë gjysmë i vdekur nga grabitësit dhe ndihmën e parë ia kanë dhënë kalimtarët e rastit, të cilët e kanë dërguar në spitalin e qytetit, por më pas është dërguar në Tiranë, pasi gjendja e tij shëndetësore është tejet e rëndë.
Dëshmia e postierit
Grabitja mësohet se ka ndodhur pranë fshatit Kolsh, në dalje të autostradës dhe dyshimet e para të policisë mbi autorët janë për dy persona, të cilët kanë kërcënuar me armë dhe kanë dhunuar fizikisht postierin, i cili udhëtonte i vetëm me mjetin e tij dhe me vete kishte pensionet për banorët e Komunës Malzi. Sipas të dhënave nga burimet pranë Drejtorisë së Policisë Kukës, mësohet se rreth orës 13.40, Algjoni, punonjësi i postës së Komunës Malzi, është dërguar nga disa kalimtarë në urgjencën e spitalit të Kukësit, në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe i mbuluar nga gjaku. Siç ka treguar mjeku rojë, vetë Algjoni ka treguar se është punonjës i postës për Komunën Malzi, krahina e Shëmrisë, në rrugën e vjetër Kukës-Tiranë. Mjeku rrëfen se i plagosuri i ka thënë se po shkonte në komunë për të dërguar lekët e pensionistëve dhe sapo ka dalë nga autostrada, ku ka marrë rrugën e vjetër për Shëmri, është ndaluar për të pastruar rrugën e bllokuar me gurë të mëdhenj, të çrregullt si të ishte një shembje. Papritur, dy persona me maska e kanë goditur me thika dhe me qytën e një pistolete, duke e lënë në vend pa ndjenja. Dy personat me maska kanë grabitur çantën, në të cilën, siç është shprehur Algjoni, ka pasur 15 milionë lekë të vjetra të pensioneve, dhe janë larguar. “Pas pak minutash, disa persona të rastësishëm e kanë parë Algjonin të shtrirë dhe e kanë sjellë në spital me një makinë të tyre”, ka rrëfyer mjeku rojë. Sipas tij, kaq ka thënë Algjoni në spital e më pas nuk ka pasur mundësi të flasë, për shkak të gjendjes shumë të rëndë shëndetësore. Mjekët thanë se i dëmtuari ishte goditur me mjete të forta e prerëse, si dhe me një qytë pistolete, fakt që e ka treguar vetë viktima, duke shtuar se njëri i binte, ndërsa tjetri mbante një automatik drejt tij.
Spitali
I dëmtuari është dërguar menjëherë në sallën e ndërhyrjes kirurgjikale, për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë, por gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar, kështu që stafi mjekësor ka kërkuar dërgimin e tij drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar. Në këto kushte, babai i tre fëmijëve është nisur me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet, ku ndodhet i shtruar, ndërkohë që ende nuk ishte stabilizuar gjendja e tij. Mjekët e spitalit thanë se ai ka humbur shumë gjak, por ka dëmtime edhe në kokë, për shkak të goditjeve të grabitësve.
Policia
Ndërkaq, mjekët e spitalit kanë kontaktuar edhe me policinë, duke u rrëfyer variantin e treguar nga i dëmtuari, ndërkohë që mësohet se kanë nisur hetimet për dokumentimin e plotë të këtij krimi. Por, zyrtarët e policisë, të kontaktuar në telefon, e kanë mohuar një ngjarje të tillë. Ky veprim nuk dihet pse kryhet, por të sjell ndërmend deklaratat e kreut të Policisë Hysni Burgaj, i cili ka kërkuar nga vartësit e tij që të evidentojnë të gjitha ngjarjet dhe mos t’i fshehin ato. Megjithatë, burime të besueshme pranë policisë lokale tregojnë se grupi hetimor ka udhëtuar shumë shpejt në vendngjarje, me qëllim për të mbledhur prova për këtë krim të rëndë. Këto burime jozyrtare thonë se po kërkohen dy personat e mundshëm të grabitjes për t’i identifikuar dhe kapur, ndërkohë që zyrtarisht, Policia e Kukësit nuk e konfirmon ngjarjen. Grabitjet në rrugën e vjetër Kukës-Tiranë kanë qenë në “modë” në vitet ’90, ku në harkun e një viti shënoheshin shumë grabitje brenda një dite, ndërkohë që tmerri i maskave duket se është rikthyer sërish.
Kurthi
Sapo ka dalë nga autostrada, ku ka marrë rrugën e vjetër për në Shëmri, postieri u ndal për të pastruar rrugën e bllokuar me gurë të mëdhenj. Papritur, dy persona me maska e kanë goditur me thika dhe me qytën e një pistolete, duke e lënë pa ndjenja