Nis ndërtimi i objektit të kultit, pas aprovimit të projektit nga qeveria dy javë më parë
Kjo e shtunë për myslimanët e Shqipërisë do të jetë një nga ditët më festive të këtyre 20 viteve të fundit.
Ata do të vendosin në sheshin e Namazgjasë, gurin e parë për ndërtimin e Xhamisë së Madhe. Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, doli vetë për të ftuar jo vetëm besimtarët myslimanë, t’i bashkohen kësaj ceremonie festive.
“Komuniteti Mysliman njofton mbarë besimtarët dhe qytetarët e tjerë që të marrin pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të Xhamisë së Madhe të Tiranës. Kjo ceremoni do të zhvillohet të shtunën në orën 10.00, në vendin e quajtur Namazgja, ku dhe do të ndërtohet xhamia e shumëpritur nga të gjithë”, tha Selim Muça.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, e cilësoi si historike ditën e nisjes së ndërtimit të Xhamisë së Madhe.
Xhamia do të jetë me të gjitha lehtësirat dhe mundësitë për besimtarët që të luten. Do të ketë një kapacitet të madh, do të jetë një kryevepër vepër arkitekturore, me të cilën qyteti i Tiranës do të pasurohet, siç u pasurua me dy katedralet që u ringjallën pas rrënimit të tyre. Qeveria miratoi pak kohë më parë dhënien e truallit për ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet. Projekti për këtë objekt të rëndësishëm parashikohet të vihet në jetë në lulishten përpara Parlamentit, apo siç njihet ndryshe sheshi i Namazgjasë.
Më konkretisht, vendimi është “Për kalimin e një sipërfaqeje truall, pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe kompensimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Komuniteti Mysliman Shqiptar do të kenë më në fund xhaminë e tyre në vendin ku ata kishin këmbëngulur gjithmonë që të ndërtohej.
Vendimi u mor duke pasur parasysh kërkesat e vazhdueshme të Komunitetit Mysliman që xhamia e tyre të ndërtohej pikërisht në këtë vend, i cili konsiderohet si i rëndësishëm për anëtarët e këtij komuniteti. Në vijim do të vendoset edhe për arkitekturën e xhamisë apo edhe për detaje të tjera në lidhje me projektin e ndërtimit të saj.