SHBA kërkon përgjigje mbi shkaqet që i çuan dy të rinjtë çeçenë drejt akteve terroriste
Një adoleshent i dyshuar si autori i bombave që shpërthyen gjatë maratonës së Bostonit u arrestua, pasi një qytetar e gjeti atë duke u fshehur në një varkë në oborrin e shtëpisë së vet.
Policia tha se shkëmbeu zjarr me Dzhokhar Tsarnaev, 19 vjeç, pasi e izoloi atë në një zonë në Uotertoun, pranë Bostonit. Ai pati shpëtuar duke u larguar më këmbë të premten, ndoshta i plagosur, pas një shkëmbimi të mëparshëm zjarri me policinë, ku vëllai i tij më i madh mbeti i vrarë.
Tre njerëz vdiqën dhe mbi 170 të tjerë u plagosën të hënën nga shpërthimi i bombave.
Analistët thonë se deri më tani, ndërsa të dyshuarit si atentatorë u identifikuan dhe origjina e tyre shoqërore u zbulua, pyetja e madhe mbetet se çfarë i shtyu ata të kryenin këtë akt terrorist. Të dhënat e mbledhura nëpër median shoqërore sugjerojnë se vëllai i vogël dukej se ishte një student i mirë. Vëllai i madh nuk ishte shumë i përshtatur me jetën amerikane dhe nuk kishte shumë miq. Duket se ideologjia radikale islamike ishte shkëndija që solli këto veprime, por nuk dihet ende nëse ata vepruan më vete apo qenë porositur nga ndonjë organizatë terroriste.
Një komplot i organizuar mund të shqetësojë të gjithë Amerikën. Por ka një tendencë shqetësuese të krijimit të organizatave të vogla me prirje ekstremiste, të cilat janë shumë më të vështira për t’u zbuluar.
Ndërsa lajmi për arrestimin e adoleshentit të dyshuar doli, Presidenti Barack Obama premtoi se do të kërkojë përgjigje mbi atë çfarë i motivoi atentatorët dhe nëse ata kishin ndihmë apo vepruan më vete.
Dzhokhar Tsarnaev u zbulua pas një dite kërkimi të ethshëm, ku qarkullimi në të gjithë Bostonin u mbyll dhe banorëve iu kërkua të mos dalin nga shtëpitë. Të premten, një polic u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me ta. Një polic tjetër u plagos rëndë dhe një nga vëllezërit, Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç, vdiq në spital.
Ndërsa mijëra oficerë të trupave speciale kërkuan nëpër rrugë për Dzhokhar Tsarnaev, jeta në Boston u paralizua. Për pak orë, pavarësisht kërkimeve shtëpi më shtëpi, disa filluan të besojnë se i dyshuari i pati shpëtuar edhe një herë policisë.
Vetëm rreth orës 19:00, një orë pasi ndalimqarkullimi ishte hequr dhe transporti në qytet rifilloi, ndodhi zbulimi.
Një banor në rrugën Frenklin, doli nga shtëpia e tij dhe dalloi gjak pranë varkës në oborrin e shtëpisë. Pasi hoqi mbulesën e varkës, ai pa një njeri të gjakosur dhe njoftoi policinë.
Skuadrat kundër bombave dhe ambulancat rrethuan shtëpinë, ndërsa helikopterët fluturuan mbi të. “Skuadra e shpëtimit të pengjeve u përpoq të fliste me të, por u kuptua se ai nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej komunikatave”, tha një zyrtar i policisë.
Policia hodhi granata me dritë për të çorientuar të dyshuarin. Policia tha se shkëmbeu zjarr me të dyshuarin për rreth një orë dhe pastaj shkoi ta arrestojë. Një turmë pranë vendit të ngjarjes brohoriti ndërsa ai u arrestua. Departamenti i policisë së Bostonit shkroi në median sociale: “E kapëm!!! Gjuetia mori fund. Terrori mori fund. Drejtësia fitoi. I dyshuari është nën arrest.”
Një paralajmërim rus?
Zyrtarët e policisë i identifikuan dy të dyshuarit si çeçenë që jetonin në SHBA. FBI-ja pati intervistuar Tamerlan Tsarnaev në vitin 2011 pas një kërkese nga një qeveri e huaj, konfirmuan zyrtarët amerikanë. Por agjentët e mbyllën çështjen, pasi nuk dyshuan për asgjë.
Nuk dihet se cili vend bëri kërkesën, por dyshohet se ka qenë pikërisht Rusia. Në një intervistë për televizionin rus, nëna e dy të dyshuarve tha se FBI-ja ka qenë në kontakt me djalin e saj për shumë vite. Kremlini deklaroi se do të rrisë bashkëpunimin kundër terrorizmit me autoritetet amerikane. Por njohuritë e FBI-së para atentatit mbi të dyshuarin pritet të ekzaminohen. I ati i të dyshuarve foli nga Dagestani për BBC dhe tha se besonte se shërbimet sekrete i kishin futur në kurth djemtë e tij.
“Pati një sulm terrorist të organizuar me kujdes nga shërbimet sekrete – nuk e di se cilat. Djali im shkonte në xhami dhe një herë ata na vizituan dhe na pyetën se pse e bënte këtë. Po, ka pasur një episod të tillë. Ata e vendosën fajin mbi djalin tim dhe e qëlluan. Kjo është e gjitha.”
Por Ruslan Tsarni, daja i të dyshuarve, i cili jeton në Meriland, tha se ndihej “i turpëruar” nga roli i dyshuar i nipërve të tij te bombat. I pyetur se cili mund të ketë qenë motivi, ai tha: “Të qenët dështak dhe të urryerit të çdokujt përreth.”
Vëllezërit Tsarnaev
Fëmijët e emigrantëve çeçenë vinin nga rajoni i trazuar i Kaukazit në jug të Rusisë. Familja mendohet se është vendosur në SHBA më 2001-shin nga Republika e Dagestanit në Rusi. Ata jetonin në Kembrixh, shtëpia e Universitetit të Harvardit. Dzhokhar, 19 vjeç, pati fituar një bursë për arsim të lartë. Ai dëshironte të bëhej një neurokirurg, sipas babait të tij.
Tamerlan, 26 vjeç, ishte një boksier amator. Ai e përshkruante veten si shumë fetar, nuk pinte alkool apo duhan.
Origjina e të dyshuarve
Çeçenia është një republikë në Rusinë e Jugut, e pasur me naftë. Gjatë viteve ’90, çeçenët kërkuan pavarësi dhe organizuan një shtet të tyrin para se Rusia të ndërhynte me dhunë për t’u dhënë fund kërkesave për pavarësi. Dy luftëra pasuan duke e shkatërruar vendin dhe duke vrarë një pjesë të madhe të popullsisë. Gjatë viteve të fundit, vendi ka vuajtur nga banditizmi dhe krimi i organizuar.
Dagestani, ku patën jetuar për disa vite të dyshuarit, gjendet në të njëjtën zonë. Emri do të thotë “toka e maleve”. Ajo është një zonë e famshme për diversitetin gjuhësor. Një kryengritje islamike ka shumë vite që zhvillohet këtu kundër autoritetit të Moskës. Dagestani ka rezerva nafte dhe një sektor të fuqishëm manifakture, por edhe shumë korrupsion dhe krim të organizuar.