Avokati i Popullit e vlerëson raportin e DASH si një dokument shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e institucionit të Avokatit të Popullit, Elona Demollari thekson se në raportin e DASH, gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura nga Avokati i Popullit.
“Ne konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në të gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si gjendja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi te kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjendja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave. Ne i konsiderojmë si mjaft të rëndësishme problematikat e ngritura nga raporti i DASH dhe do i përkthejmë ato në prioritet dhe program pune për institucionin”, theksoi Demollari.
Në Raportin Vjetor për të Drejtat e Njeriut nga Departamenti i Shtetit në SHBA, theksohet se të drejtat e njeriut vijojnë të shkelen me raste dhune e abuzimi si tek komunitetet rome, femrat dhe të miturit.
21 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)