Jano-Jani-3Dorëhiqet anëtari i fundit i opozitës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Jani Jani. Pas ngrirjes së përkohshme të funksioneve të tij si pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Jani, i propozuar nga PBDNJ, i ka dërguar Kuvendit dhe Lefteri Lleshit, një letër të dytë.


“Zhvillimet e dhjetëditëshit të fundit brenda e jashtë KQZ-së, nga njëra anë, ku njëri prej anëtarëve u shkarkua nga Kuvendi dhe dy të tjerë dhanë dorëheqje për shkak të cënimit të integritetit, pavarësisë dhe ushtrimit të mandatit të anëtarit si edhe vazhdimin e situatës dhe mungesën e një reflektimi real dhe të dukshëm nga politika dhe nga ana tjetër pamundësia për të mos qenë indiferent edhe ndaj asaj që është nënvizuar në raportin e Departamentit te Shtetit për “institucione shtetërore skajshmërisht të politizuara përfshi edhe KQZ-në, po minojnë të drejtat e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje”, më imponojnë  të jap edhe unë dorëheqjen nga detyra e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,-thotë ai.


Jani e përmbyll letrën duke deklaruar se: ” punën dhe përkushtimin e derisotshëm në zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe në realizimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të pakontestueshme jua lë në gjykimin e qytetarëve dhe strukturave institucionale”.


Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të Denar Bibës dhe Albana Shtyllës, 2 anëtarët e propozuar nga partia socialiste në KQZ, ditën e enjte, Jani Jani deklaroi ngrirjen e funksioneve të tij në këtë institucion, duke bojkotuar mbledhjet deri në një vendim të dytë. Të premten, KQZ zhvilloi mbledhjet me 4 anëtarët e mbetur, madje duke miratuar dhe vendimmarrje të rëndësishme, ndërsa Kuvendi është ende në pritje të propozimeve të Partisë Socialiste për të zëvendësuar të larguarit, propozime që sipas Kodit Zgjedhor duhet të vinin brenda 48 orëve nga dorëheqja.


21 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)