Socialistët e ndëshkuar nga Topalli nxjerrin jashtë loje 4 të “pavarurit”
Dekretet, PD i voton pa problem falë përjashtimit të 4 deputetëve
BLEDAR HOTI
Kuvendi i Shqipërisë, në seancat e fundit të legjislaturës, pritet të përfshihet në procesin e votimit për dy anëtarët e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza dhe Tom Ndreca. Sipas të gjitha gjasave, ky votim pritet të realizohet me datën 25 prill, pasi Komisioni i Ligjeve të realizojë procedurën formale të seancës dëgjimore me dy emrat e propozuar nga Presidenti. Ndryshe nga votimi për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ku PD-ja gjeti mbështetjen e katër deputetëve të pavarur “socialistë”, Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Dritan Prifti dhe Gjovalin Kadeli, për votimin e dekreteve të kreut të shtetit, nuk do t’u lutet atyre për kartonin e tyre të jeshilët. Kjo, për faktin se Byroja e Kuvendit ka penalizuar katër deputetët e opozitës aq sa i nevojitet mazhorancës për të pasur votat e duhura për të votuar dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas seancës së tensionuar të së hënës, disa deputetë të PS-së replikuan ashpër me deputetin Kastriot Islami. Kjo bëri që Topalli, si Kryetare e Parlamentit, të shpallë penalizimin e deputetëve të PS-së, Sajmir Tahiri, Gazmir Bizhga, Ndrec Deda dhe Arben Çuko. “Pas vlerësimit të këtyre rrethanave, në unanimitet, Byroja e Kuvendit, mbështetur në nenin 65 pika 2 e rregullores, vendosi ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Sajmir Tahiri për 14 ditë”, thuhej në njoftimin për mbledhjen e Byrosë.
Vetë kryeparlamentarja, në seancën e fundit, u shpreh se fali deputetin tjetër socialist, Ilir Bejtjen nga ndëshkimi, duke nënkuptuar kështu se të katërt të penalizuarit e tjerë brenda radhëve të opozitës, i mjaftojnë për të kaluar jo vetëm ligjet me shumicë të thjeshtë, por edhe dekretet e kreut të shtetit. Nëse seancat mbahen të hënën dhe të enjten, atëherë mazhoranca deri në datën 2 maj, ditë që mund të sjellë seancën e fundit, i ka të sigurta kalimin e çdo ligji. Teorikisht kjo mund të sjellë edhe pamundësinë e opozitës shqiptare për të realizuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Berisha, e cila mund të bjerë, për shkak të mospasjes së numrit të artë të 71 deputetëve. Kjo, për rastin nëse në sallë votojnë 140 deputetë. Me daljen e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeveritar, mazhorancës i ikin katër deputetë të kësaj force politike. Pra qeveria ka 69 deputetë, edhe pse me numra deputetësh ka rënë, PD-ja ka gjetur shpresën e vazhdimit të qeverisjes deri më 23 qershor me katër votat e të pavarurve. Vota e tyre ka qenë determinante jo vetëm në shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, por edhe në kalimin e disa ligjeve të veçanta. Ndërkohë që PD-ja inatin e ikjes së LSI-së nga qeveria e ka shprehur jo vetëm me largimin e administratës së të propozuarve nga radhët e LSI-së, por dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, tre deputetët e PD-së që militonin në grupin e LSI-së, Rajmond Hoxha, Ismail Hoxha dhe Mehmet Xheka, depozituan kërkesën për largimin nga ky grup. Po të shoh faqen zyrtare të Kuvendit, grupi i LSI-së nuk ekziston dhe deputetët Meta, Naço, Koka dhe Tavo janë përfshirë në listën e të pavarurve. Kjo solli dhe largimin e deputetit të LSI-së, Nasip Naço, nga posti i nënkryetarit të Kuvendit. Ai dha dorëheqjen e parevokueshme për shkak të kësaj hakmarrjeje. Ndërkohë që Topalli, edhe pse Islami ka mbi dy vite që është përjashtuar nga PS-ja, vazhdon ta mbajë këtë deputet në listën e grupit të PS-së, ashtu si dhe dy deputetë të tjerë të vetëlarguar, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani.
Mazhoranca
Aleanca PD-LSI solli një mazhorancë të brishtë në Kuvend, por ikja e Metës me katër deputetë bën që teorikisht kjo qeveri të jetë e rrëzuar
4 deputetë
Kuvendi, më saktë PD-ja, ka penalizuar 4 deputetët e PS-së, Tahiri, Bizhga, Çuko dhe Deda për shkak të sherrit me Islamin
21 ditë
Ndëshkimi maksimal për tre deputetë është deri në 21 ditë. Socialisti Tahiri është i vetmi që është dënuar me 14 ditë
69 vota
Penalizimi i katër socialistëve bën të mundur që mazhoranca t’i kalojë pa problem ligjet apo edhe dekretet me 69 vota pro
4 të pavarur
Tre ish-socialistët Kadeli, Islami, Dogjani, si dhe Prifti qenë deputetët që i dhanë jetë qeverisë dhe votuan kundër shkarkimit të Muhos
Dekretet
Presidenti Nishani propozoi Admir Thanzën dhe Tom Ndrecën për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke bërë që ky institucion të mbyllë vakancat
LSI-ja
Ikja e 4 deputetëve të LSI-së është shoqëruar me një hakmarrje nga ana e Topallit, e cila ka shkrirë grupin parlamentar të kësaj partie politike
Mocioni
Por penalizimi i katër opozitarëve, në mënyrë teorike shpëton edhe qeverinë Berisha nga paraqitja e ndonjë mocion mosbesimi nga ana e PS-së në Kuvend
Votimet
Ligjet votohen me shumicë të thjeshtë, pra PD-së, me ndëshkimin e 4 deputetëve, i nevojiten vetëm 68 vota që dekretet e Presidentit të kalojnë në seancë