Copy of Gilman Lika dhe Cota ne Tirana Vllaznia 1-0Bylisi e Laçi ulin ritmin në kampionat. Flamurtari synon t’i shtyjë festën Skënderbeut


Altin Manallari


Tirana fiton dhe parakalon Vllazninë, duke ringjallur shpresat për zonën europiane. Laçi e Bylisi ulin ritmin në kampionat me mendjen te finalja e Kupës. Sot, Flamurtari synon t’i shtyjë festën e titullit Skënderbeut, ndërsa ndizet lufta për dy prej vendeve që të çojnë në Europa League.


Bardheblutë i janë falur një penalltie, e kthyer në gol nga kapiteni Gilman Lika. Shkodrani ka ndëshkuar Vllazninë e vendlindjes së tij në një përballje skuadrash me traditë në futbollin tonë, por që kanë pasur probleme të shumta sezonale. Në “Qemal Stafa” është luajtur një ndeshje e vërtetë, ku palët sfidonin njëra-tjetrën në një moment të pazakontë, shumë larg objektivave madhorë. Megjithatë në fushë kanë demonstruar një lojë plotë grintë sportive, e denjë për një klasike të futbollit shqiptar. Të dy skuadrat dhanë maksimumin, por diferencën e bëri goli i vetëm i Gilman Likës me 11 metërsh në minutën e 48-të. Tri pikë që i mbajnë 24 herë kampionët e vendit në lojë për zonën europiane, edhe pse me këtë fitore ngjisin vetëm një pozicion në klasifikim, duke parakaluar Vllazninë në vendin e pestë. Bardheblutë kanë një pikë më pak se vlonjatët dhe durrsakët, që do t’i luajnë sot ndeshjet e tyre të javës së 23-të. Bylis dhe Laçi, dy finalistet e Kupës së Shqipërisë, duket se kanë ulur ritmin në kampionat, duke u mundur nga skuadrat e fundit të tabelës. Në Peqin nuk dorëzohen për mbijetesën për sa kohë që matematika i mban në lojë. Shkumbini mposhti në shtëpi me rezultatin 2-1 Bylisin, i cili ende nuk e ka siguruar qëndrimin në Superiore. Edhe pse ishin miqtë ata që shënuan të parët në minutën e 25-të me anë të Bakiut, vendasit barazuan me Dervishin, ndërsa pak minuta para përfundimit të takimit, Lluca realizon dhe golin e fitores. Një triumf i rëndësishëm ky për skuadrën e Miles, duke qenë se ekipi lufton për mbijetesë, ku gjithsesi shpresat janë të pakta. Një fitore jo me shumë vlera ajo e Tomorit ndaj Laçit me shumë mungesa, ku beratasit iu imponuan 2-0 laçianëve, që gjithsesi sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë. Golat u shënuan nga Arbri (25′) e Sulejmani (45). Një ndër ndeshjet më të rëndësishme të ditës së sotme do të jetë Flamurtari-Skënderbeu në Vlorë, ku vlonjatët synojnë fitoren jo vetëm për të vazhduar luftën për Europa League, por edhe për t’i shtyrë festën e titullit rivalit më të urryer të tyre të tre edicioneve të fundit.


Superiore (Java XXIII)


DJE


Shkumbini-Bylis 2-1


Dervishi 58′, Lluca 84′ / Bakiu 25′


Tomori-Laçi     2-0


G.Arbri 25′, Sulejmani 45′


Tirana-Vllaznia 1-0


G.Lika 48′ (11-m)


SOT


14:00 Kastrioti-Luftëtari


14:00 Teuta-Apolonia


17:00 Flamurtari-Skënderbeu


17:00 Besa-Kukësi


Klasifikimi


Skuadrat   N    P


1. Skënderbeu   22   52


2. Kukësi  22   40


3. Flamurtari   22   39


4. Teuta   22   39


5. Tirana  23   38


6. Vllaznia     23   35


7. Laçi    23   34


8. Kastrioti    22   31


9. Bylis   23   30


10. Besa   22   27


11. Shkumbini   23   21


12. Luftëtari   22   18


13. Tomori 23   15


14. Apolonia    22   10