Skema 


Kanë përfituar emërime definitive në vende pune për të cilat ka ekzistuar më parë një emërim


Shuma e parave e rreth 150 mësuesve që gati çdo muaj nuk marrin paratë për punën që kryejnë kap shifrën e rreth 50 mijë dollarëve


Gjatë fillimit të vitit 2012 ka nisur edhe mospagesa e dhjetëra mësuesve të tjerë që punonin provizorisht ose në vende vakante


EDMOND HOXHAJ


mesuesMospagesa e rreth 150 mësuesve të varur nga DARQF për disa muaj me radhë duket se e ka një shkak. Gjatë dy apo tre viteve të fundit ka pasur një numër të madh mësuesish që kanë përfituar emërime definitive në vende pune ku ka ekzistuar një tjetër mësues po me emërim definitiv. Kjo gjë ka sjellë rritjen e numrit të personelit të mësuesve dhe administratës së varur DARQF nga 2500 deri në më shumë se 2700. Por, për arsye se fondi i akorduar nga MASH për personelin e DARQF mbulon financiarisht vetëm numrin e 2500 mësuesve, kjo ka sjellë mungesën e pagesës për rreth 150 punonjës të tjerë, një pjesë e të cilëve edhe pse kanë zëvendësuar mësuese të larguara për efekt leje lindje, nuk e kanë marrë dot rrogën për muaj me radhë.


 


Skema e dublimeve


Gjatë tre viteve të fundit mësohet se ka pasur mbivendosje të emërimeve definitive në të njëjtat vende të pune në shkolla të ndryshme në varësi të DARQF, në Rrethin e Fierit dhe të Mallakastrës. Kështu, ka pasur raste kur një mësuese është larguar për efekt të lejes së lindjes, në vendin e saj të punës nuk është emëruar provizorisht një mësues tjetër, por i është dhënë emërim definitiv. Por, kur mësuesja e larguar për efekt leje lindje është rikthyer në detyrën e saj, njëri prej dy të emëruarve ka mbetur i “papunë”. Pasi drejtuesit e zyrave arsimore i kanë dhënë emërim definitiv mësuesit që kryente zëvendësimin, ky i fundit i duhej të qëndronte në pritje të gjetjes së një vendi të ri pune. Mësohet se në disa raste ka pasur ndarje të orëve të akorduara për normën e një mësuesi. Ndërsa në raste të tjera, mësuesi i cili ka përfituar i dyti emërimin definitiv për një vend pune është paguar edhe pse nuk shërbente, pasi për të nuk ka pasur një vend pune. Kjo, pasi punëmarrësi në këtë rast ka përfituar emërimin përfundimtar dhe është e jashtëligjshme heqja e vendimit nëse ai nuk thyen rregulloren e mësimdhënies. Me kalimin e muajve e viteve numri i mësuesve të “dubluar” të varur nga DARQF është rritur duke shkuar deri në më shumë se 200. Gjatë fillimit të vitit 2012 ka nisur edhe mospagesa e dhjetëra mësuesve të tjerë që punonin provizorisht ose në vende të lira. Nga burimet mësohet se në disa raste, mësuesit e “dubluar” kanë qenë të të njëjtit profil me mësues që kanë dalë në pension dhe kanë zënë vendet e tyre. Por një pjesë vazhdon të mbetet ende pa një vend pune, ndërsa DARQF është e detyruar t’i paguajë pasi iu ka dhënë emërime definitive. Ndërkohë, duke qenë se fondi financiar i përcaktuar nga MASH për DARQF në bazë të ligjit për arsimin parauniversitar, nuk i mbulon dot të gjithë mësuesit, përfshi edhe ata të “dubluar”, mësohet se ka nisur edhe fenomeni i mbajtjes së pagesës mësuesve provizorë dhe një pjesë të atyre me vendim.


 


Skema e mbajtjes së pagave


Nga burime konfidenciale bëhet e ditur se gati çdo muaj, rreth 150 mësues me varësi financiare nga DARQF nuk paguhen. Kjo situatë ka më shumë se një vit që vazhdon, ku më të prekurit kanë qenë mësuesit provizorë. Sipas burimeve të sipërcituara, në më të shumtën e rasteve mësuesit provizorë paguhen për disa nga muajt që punojnë, ndërsa për disa të tjerë nuk paguhen. Por ka edhe raste kur nuk paguhen për asnjë prej muajve kur kanë shërbyer si mësues në shkolla të ndryshme të DARQF. Gjithashtu, mësohet se u janë mbajtur paga edhe mësuesve të ndryshëm të cilët disponojnë një emërim definitiv në kundërshtim me udhëzimet e MASH, më konkretisht ata punëmarrës që disponojnë vetëm dëftesën e shkollës së mesme dhe nuk kanë kryer studimet e larta në mësuesi. Muajt e fundit të vitit të kaluar, janë përballur me mungesën e pagës edhe rreth 50 mësues apo punonjës të tjerë të administratës së DARQF, të cilët kanë përfituar emërime me vendime. Mospagesa e tyre mësohet të ketë ardhur pasi ata janë emëruar të shërbejnë definitivisht në vende pune vakante të cilat janë mbyllur edhe pse ka munguar mësuesi i një profili të caktuar. Pas ankesave të herëpashershme verbale të këtyre mësuesve ka pasur ndryshime të emrave të listës së mësuesve që u është mohuar pagesa. Kjo, me qëllim moskrijimin e pakënaqësive të vazhdueshme tek i njëjti mësues.


 


Destinacioni i parave


Një pagë mësuesi provizor përllogaritet të kapë shifrën e rreth 350 dollarëve. Ndërsa një mësues definitiv paguhet me rreth 400 dollarë në muaj. Ndërkohë, shuma e parave të rreth 150 mësuesve që gati çdo muaj nuk marrin paratë për punën që kryejnë kap shifrën e rreth 50 mijë dollarëve. Për shkak se fondi financiar i akorduar nga MASH për DARQF mbulon vetëm 2500 mësuesit e paracaktuar në bazë të ligjit të punësimit të personelit për arsimin paraunivesitar dhe dublimit të rreth 200 punëmarrësve gjatë dy-tre viteve të fundit, kjo ka sjellë si pasojë që një pjesë e tyre të mbeten pa para. Paratë e akorduara për vendet vakante të punës dhe të atyre që lirohen për efekt leje lindje, kalojnë në favor të mësuesve të “dubluar”. Ndonëse qytetarë e mësues të ndryshëm janë shprehur në rrugë verbale se këto “dublime” janë kryer nga drejtuesit e DARQ dhe zyrës arsimore Mallakastër gjatë tre viteve të fundit me qëllim përfitimi material ose jomaterial, gazeta nuk ka arritur të sigurojë prova për të vërtetuar korrupsionin e dyshuar.


 


 


Mallakastër


Drejtuesja e zyrës arsimore anuloi dy vendime të “dubluara” të paraardhëses


Fakti i dhënies së emërimeve definitive në mënyrë të parregullt është pohuar për gazetën “Shqip” edhe nga drejtuesja aktuale e Zyrës Arsimore Mallakastër, Sabire Hoxhaj. Kanë qenë dy mësuese në dy shkolla të ndryshme të Rrethit të Mallakastrës, të cilat denoncuan këtë fakt, duke e cilësuar të paligjshëm prishjen e emërimit definitiv pa asnjë arsye. Pas interesimit të gazetës pranë kësaj zyre për anulimin e dy emërimeve definitive, drejtoresha Hoxhaj ka konfirmuar se ato ishin lëshuar në mënyrë të parregullt nga paraardhësja e saj, duke u mbivendosur në vende pune për të cilat ishte lëshuar më parë emërimi definitiv. “Duke u ndodhur përballë faktit se për orët e programuara për një mësuese, gëzonin emërim definitiv dy të tilla, atëherë u detyrova të anuloja vendimin e dhënë më pas, duke lënë në punë atë që kishte qenë më parë. Dy mësueset të cilave iu anulova emërimin definitiv janë në krye të listës së kërkesave për punë të dorëzuara pranë institucionit që drejtoj”, u shpreh Hoxhaj.