Takimi i PS-së “Shqipëria europiane, në rajon e botë” mbledh Arvizu-n dhe Sequi-n
Berisha – “Nuk mund të mos ju ftoj miq të dashur që të mendoni për një moment bllokimin nga z. Rama të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke mos votuar tri ligjet. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarë si ky. 23 qershori po vjen. Shqiptarët do të votojnë për të shembur murin e bllokimit për të ardhmen e tyre europiane”, shkruan Berisha në “Facebook”.
Partia Socialiste zhvilloi konferencën “Shqipëria europiane, në rajon dhe botë”, duke shpalosur opsionet e saj për diplomacinë e kësaj force që synon të marrë pushtetin më 23 qershor. Forcimi i pozitave të Shqipërisë si faktor stabilizues në rajon, larg nacionalizmave si dhe mbështetja ndaj shtetit të ri të Kosovës, janë dy pikat kryesore ku do mbështetet politika e jashtme e socialistëve. Platforma për diplomacinë e PS-së u shpalos në prani të trupit diplomatik, ku të pranishëm ishin dhe ambasadorët e BE-së, Ettore Sequi, dhe ai i SHBA-së, Alexander Arvizu. “Pas 23 qershorit, ne duam t’i japim një cilësi dhe shpejtësi të re procesit të anëtarësimit në BE. Angazhohemi që t’ua lëmë arkivave retorikën e vjetër nacionaliste që e ka përfshirë qeverinë e Shqipërisë në zhargonin e vet, që tenton të mbulojë dështimet e brendshme si dhe të çajë rrethin e një izolimi faktit për shkak të dështimeve duke u shfaqur djallëzisht si një hije kërcënuese për stabilitetin e rajonit. Asnjëherë nuk do t’i shohim kufijtë si një element për t’u ndryshuar, por, përkundrazi”, deklaroi Rama. Duke premtuar shtim të njohjeve të Kosovës si pasojë e ndihmës që do t’i japë qeveria e re socialiste, Rama akuzoi Berishën për propagandë negative në adresë të tij, tek shqiptarët e Kosovës. “Përmes shpifjesh dhe përmes një organizimi të përqendruar për të deformuar realitetin në Shqipëri ku Rruga e Kombit u bë motivi i nxitjes së kësaj përçarje dhe të një mllefi, që do të ishte plotësisht i justifikuar në rast se socialistët do të kishin qenë ndonjëherë të vetëm kundër Rrugës së Kombit”, u shpreh Rama. Në këtë konferencë, Ditmir Bushati tha se “Shqipëria europiane për ne s’është slogan, por projekt politik i një rëndësie të posaçme gjeostrategjike dhe gjenerator i një bashkëpunimi më të frytshëm rajonal në funksion të stabilitetit demokratik dhe mirëqenies”. Socialisti Ben Blushi në fjalën e tij tha se “në këto 20 vjet, ne kemi pasur shtet të pavarur por nuk kemi pasur shtet të së drejtës. Ne kemi pasur pavarësinë e mjaftueshme për ta shkelur ligjin, por shumë rrallë e kemi zbatuar ligjin në mënyrë të pavarur. Kemi pasur pra shtet por nuk kemi krijuar dot shoqëri. Kemi pasur një shtet të pakicës, por jo një shoqëri të shumicës”. Për nacionalizmin, Blushi theksoi se “nacionalistët shqiptarë sot thjesht janë antieuropianë që nuk duan që standardet dhe shteti i së drejtës të zbatohet në Shqipëri. Ata janë njerëz që kanë frikë nga Europa”. Ndërsa Marko Bello u fokusua në fjalën e tij te nevoja për një shërbim diplomatik i ndërtuar larg nepotizimit, por mbi bazën e meritokracisë dhe promovimit të karrierës së diplomatëve.