Champions ndez sot reflektorët me sfidën epike mes dy klubeve prestigjioze të Europës


Riberi dhe Mesi ne prag te Bajern BarcelonaChampions ndez reflektorët e për gjysmëfinalet dhe prezanton një sfidë epike në “Allianz Arena” mes Bajernit të Mynihut dhe Barcelonës, një finale vërtet e parakohshme mes dy klubeve më prestigjioze të Europës.


Bajerni dhe Barcelona janë dy skuadra në botë që e kanë lexuar më së miri rregullin e futbollit, “qëllimin e lojës”: të shënojmë gol, mundësisht një më shumë sesa kundërshtari. Shënojnë goleada. Nëse emrat e Riberi, Roben, Myler, Mesi, Ksavi dhe Iniesta nuk janë të mjaftueshëm për t’ju ngrohur, ta dini që sonte në mbrëmje në 20.45 mund të asistoni në një nga gjysmëfinalet më spektakolare të të gjitha kohërave në Champions. Kënaqësia, më shumë se të tjerat, do të jetë të zbulojmë se cila do të jetë skuadra që do të triumfojë falë stilit të saj të lojës, por golat duket se janë të garantuar. Në radhët e Barcelonës do të mungojnë dy mbrojtësit Pujol e Maskerano. Për pjesën tjetër, Zhordi Roura, zëvendësi i Vilanovës, do t’i japë hapësirë Pikesë dhe Buskets. (në dyshim është aktivizimi i Abidal, ndërsa lajmet gjithmonë e më të mirë vijnë për Mesin, i cili është stërvitur rregullisht dhe do të jetë i gatshëm. Problemi i vetëm te Bajerni është mungesa e Manxhukiç, i cili mund të zëvendësohet nga Mario Gomez ose Pizarro, ndërsa është ende e paqartë situata për Shvainshtaiger.


Numrat


Pavarësisht se të dyja kanë dominuar kampionatet respektive, shifrat thonë se Bajerni ka një performancë më të mirë sesa Barcelona, duke fituar më shumë ndeshje (39 kundrejt 38), duke shënuar më shumë dhe duke pësuar më pak. E çuditshmja qëndron në faktin se në krahasim me sezonet e tjera, mesatarja e golave u buzëqesh gjermanëve: 2,83 kundrejt 2,73. Në të gjithë sezonin, të dyja skuadrat kanë realizuar 272 gola, 130 në 46 ndeshje bavarezët, 142 në 52 ndeshje katalanasit. Në 2013 Shvainshtaiger me shokë kanë fituar 18 nga 19 ndeshjet e luajtura dhe kanë festuar triumfin në Bundesligë dy muaj para përfundimit. Barça ka fituar vetëm 13 nga 23. Ja përse në krahasim me 2009, kur katalanasit barazonin 1-1 në Mynih dhe fitonin 4-0 në kthim, parashikimi është shumë më i komplikuar. “Ajo ndeshje nuk është provë, ka thënë kapiteni Lahm. Tani kemi lojtarët për ta ndëshkuar Barcelonën”.


Precedentët


Hejnkes tani do t’i lërë trashëgiminë Guardiolës. Por dëshiron ta bëjë “alla Murinjo”, duke kërkuar të realizojë një tripletë magjistrale. Vetëm në një rrethanë skuadra e Hejnkesit nuk ka mundur të shënojë (në atë të kthimit në 1/8-at e Champions ndaj Arsenalit), ndërsa Benfika e Milan (gjithnjë në Champions) janë dy kundërshtarët e vetëm që kanë lënë me gisht në gojë Mesin me shokë. Barça ka qenë e detyruar të bëjë përmbysjen ndaj Milanit dhe është kualifikuar me dy barazime ndaj PSG-së, Bajerni bëri të heshtë në fillim “Emirates Stadium” (shpëtoi duke vuajtur në kthim ndaj Arsenalit) dhe më pas “Juventus Stadium”. Si Bajern ashtu edhe Barça janë në kërkim të titullit të pestë, por klubi bluagran (nën shenjën e ‘hyjnorëve’ Mesi, Iniesta e Ksavi) vjen nga një cikël i jashtëzakonshëm. Në 5 vite me Guardiolë ka fituar 14 trofe mes të cilëve 3 kampionate (me të katërtin në pritje) dhe dy Champions. Bajerni dëshiron të ngrejë kupën 12 vjet pas suksesit në gjuajtjen e 11-metërshave kundër Valencias. Por Barcelona në 24 ndeshje kundër gjermaneve ka humbur vetëm 5 herë, me një seri prej 14 fitoresh dhe 3 barazimesh.


 


 


 


 


Formacionet e mundshme


 


Bajern Mynih (4-2-3-1)


Nojer


Lahm, Van Bujten, Dante, Alaba


Havi Martinez, Shvainshtaiger


Riberi, Muler, Roben


Pizarro (Gomez)


Trajner: Hejnkes


 


 


Barcelona (4-3-3)


Valdes


Dani Alves, Pike, Bartra, Jordi Alba


Buskets, Ksavi, Iniesta


Vija(Sanchez), Mesi, Pedro


Trajner: Vilanova