Pas marrëveshjes së pranuar me protesta në Prishtinë e Beograd, vjen karamelja nga Brukseli
Komisioni Europian rekomandoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim për Serbinë, si dhe hapjen e bisedimeve për një marrëveshje stabilizimi dhe anëtarësimi me Kosovën, pas pranimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në Prishtinë dhe Beograd.
Në Prishtinë, Parlamenti e miratoi marrëveshjen mes debatesh të ashpra të dielën në darkë. Krerët e opozitës thanë se qeveria e Hashim Thaçit kishte lëshuar pe për Beogradin pa asnjë përfitim të dukshëm për Kosovën, duke lejuar krijimin e një krahine autonome brenda vendit për popullatën serbe.
Marrëveshja krijon bashkësinë e komunave serbe të Kosovës me kompetenca të plota për sektorë si ekonomia e planifikimi urban, shëndetësia e edukimi, pastaj me kompetenca të përzgjedhjes së drejtuesve policorë për rajonin e veriut, për gjyqtarët etj., si dhe fut brenda kornizës së institucioneve të Kosovës strukturat ekzistuese të sigurisë të serbëve të vendit. Disa nga deputetët e opozitës thanë se nuk qenë në gjendje të jepnin një opinion të menjëhershëm për marrëveshjen, e cila iu ishte dorëzuar vetëm pak orë para debatit.
Në Beograd, qeveria u përball me protesta nga ultranacionalistët, të cilët kërcënonin me vrasje Kryeministrin që nënshkroi marrëveshjen.
Thaçi dhe Daçiç zhvilluan edhe një debat në distancë, që duket se ishte më së shumti për konsum të brendshëm. Thaçi pati deklaruar se me këtë marrëveshje, Serbia njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa Daçiç tha se në fakt, Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, tha se rekomandimi për të hapur bisedime për anëtarësim me Serbinë dhe për të hapur bisedime për MSA-në me Kosovën shënonte një ndarje vendimtare nga e shkuara dhe një hap të përbashkët drejt Bashkimit Europian. Ajo lavdëroi udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës “për kurajën dhe vizionin e tyre”, si dhe tha që ndihej e nderuar që kishte kontribuar për këtë proces.
Sipas deklaratës së publikuar, “Komisioni konsideron se Serbia ka plotësuar prioritetin kyç të marrjes së hapave drejt përmirësimeve të dukshme dhe të qëndrueshme të marrëdhënieve me Kosovën.”
Rekomandimi i komisionit do t’i jepet Këshillit të Europës, i cili përbëhet nga ministrat e BE-së, që mundet t’i japë Serbisë një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Serbia e mori statusin kandidat për anëtar në mars 2012.
Shqipëria nuk e ka marrë ende këtë status. Kosova gjendet në të njëjtin status në të cilin gjendej Shqipëria në vitin 2003. Bisedimet për një marrëveshje stabilizimi dhe anëtarësimi vijuan nga viti 2003 deri më 2007-n. Ratifikimi i MSA-së zgjati deri më 2009-n. MSA-ja ka një afat pesëvjeçar, pas të cilit do të vendoset nëse Shqipëria do të marrë statusin kandidat apo do të vijojë me MSA-në edhe për pesë vjet të tjera.
Për Kosovën, deklarata e komisionit thotë: “Nëse Këshilli bie dakord, sapo marrëveshja të nënshkruhet nga të dyja palët, Kosova do të mund të marrë pjesë në 22 programe të Bashkimit Europian”. Termat dhe kushtet e pjesëmarrjes së Kosovës në çdo program do të përcaktohen nga një memorandum mirëkuptimi mes Komisionit Europian dhe Kosovës.
Integrimi
Gjermania kërkon anëtarësimin e Kosovës në KiE
Presidenti Federal i Gjermanisë, Joahim Gauck, u shpreh pro njohjes politike të Kosovës nga Këshilli i Europës. Për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, integrimi në bashkësinë ndërkombëtare jep impulse të rëndësishme, tha Gauck të hënën në një fjalim para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. “Pikërisht për këtë unë dëshiroj që të gjitha shtetet e Këshillit të Europës të jenë të gatshme ta njohin Kosovën si shtet”, tha Presidenti i Gjermanisë. Këshilli i Europës është i ndryshëm nga Këshilli i Ministrave të Europës. Aty janë anëtarë shtetet nga Atlantiku në Kaukaze.
Gauck shprehu shpresën, që situata politike në Bjellorusi të ndryshojë dhe të diskutohet seriozisht anëtarësimi i këtij vendi në Këshillin e Europës. Ai tha se kjo do të bëhet, pasi atje të jetë hequr dënimi me vdekje, kur të jenë liruar të burgosurit politikë dhe të kenë ndodhur reforma të gjera demokratike.”
Gauck-u tha se njerëzit në Bjellorusi dhe në Kosovë kanë të drejtë të marrin pjesë në vlerat e Këshillit të Europës, si dhe në “mbrojtjen paneuropiane të të drejtave të njeriut”.
Anëtare të Këshillit të Europës janë të gjitha shtetet e Europës me përjashtim të Kosovës dhe Bjellorusisë.