Komisioni i LigjeveKa degjeneruar në fyerje personale mbledhja e Komisionit parlamentar të Ligjeve, e parashikuar si seancë dëgjimore me dy kandidatët për Gjykatën e Lartë: Admir Thanza dhe Tom Ndreca, të propozuar nga presidenti Bujar Nishani. Pas prezantimit të dy kandidaturave mes anëtarëve të komisionit nuk kishte as diskutime dhe as pyetje ndërsa kreu i komisionit Ilir Rusmaili i kaloi ato pa i hedhur në votim pas konsensusit të opozitës siç tha vetë ai.


“Nuk ka pyetje nga kolegët. Do të thotë që kjo pjesë e kësaj pike të rendit të ditës, zhvillimi i seancës dëgjimore me dy kandidatët mbyllet këtu”,- tha Rusmaili duke ironizuar më tej qëndrimin e opozitës, duke u thënë se “nuk shoh filxhanin e Pandit kur doni të votoni ju”.


Kjo ka sjellë reagimin e deputetit Pandeli Majko, i cili i është drejtuar: ” S’keni turp, e quani të miratuar pa hapur votimin”. Kërkesa e opozitës për të rihedhur në votim dy kandidaturat u hodh poshtë ndërsa komisioni i ligjeve vazhdoi me rendin e ditës.


Admir Thanza ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish- anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Tom Ndreca është gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë që e ushtron prej 16 vitesh. Dy emrat u dekretuan nga presidenti Nishani dhe pritet të zëvendësojnë në këtë post Besnik Imerajn dhe Gani Dizdarin të cilët kaluan tek Gjykata Kushtetuese.


23 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)