E djathta


20:40 – Në këtë orar ka dalë nga selia e PD-së, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke u shprehur se negociatat me demokratët s’janë mbyllur


25 parti – Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bode, u shpreh se do të ketë koalicione politike me 25 parti politike të së djathtës dhe qendrës


21:00 – Në këtë orë, nga selia PD-së kanë dalë dy drejtuesit e PR-së, Mediu dhe Alibali. Ky i fundit bëri të ditur se diskutimet vijojnë


Berisha & MediuRidvan Bode dhe Oerd Bylykbashi kanë negociuar zyrtarisht me 23 kryetarë partish politike, duke ravijëzuar mënyrën e bashkëpunimit politik për zgjedhjet e 23 qershorit. PD ka negociata më të vështira me parti që kanë një peshë në elektorat si PR, LZHK apo dhe PDK. Nisur nga specifikat, demokratët kanë vendosur që vetëm sot të mbyllin paktin me kreun e PR-së, Fatmir Mediu. Kryerepublikani ka kërkuar që të përfshihet në listat e PD-së, si kompensim për votat e dhëna për koalicionin e djathtë. Partia Demokristiane, Lidhja Demokristiane janë dy parti që përfshihen në koalicionin me PD-në. Kreu i LDK-së ka deklaruar se oferta e PD-së ishte shumë e kënaqshme. Deri në orët e vona të darkës, PD ka zhvilluar negociata me kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, kreun e PR-së, Fatmir Mediu dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Këto subjekte kanë ndikim në elektorat. Është përfolur se Mediu dhe Shehi do të përfshihen në listat e PD-së për deputet. Kjo pritet të përcaktohet në ditët në vijim. Ndërsa përflitet dhe një skemë tjetër. Ajo përmban idenë që krerët e partive aleate të konkurrojnë me listat e tyre shumemërore të tyre, duke bërë që PD-ja t’i ndihmojë me votat e tyre për të kaluar pragun që nevojitet për të marrë deputetë. Kjo tip skeme “alla Dushk” i ndihmon kryetarët e partive të dalin si deputetë të partive politike. PD ka arritur pakt me Partinë Agrare Ambientaliste, me Partinë Demokristiane, me Lidhjen Demokristianne, Partinë Lëvizja e Legalitetit, Partinë e Ballit Kombëtar, Partinë Lëvizja Shqipëria e Re, Partinë Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Balli Kombëtar Demokrat. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, në një prononcim për median bëri të ditur ecurinë e negociatave. “Janë duke u kryer negociata me të gjitha partitë që janë ofruar në spektrin e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta dhe që po i bashkëngjiten koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit. Janë rreth 25 parti që kanë përfunduar negociatat dhe do të vijohet edhe sot për të përfunduar këto negociata me të gjitha partitë që i ofrohen këtij bashkëpunimi. Jemi të hapur për të përfshirë të gjitha partitë e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta, që kanë shprehur dhe do shprehin vullnetin për të pasur një koalicion unik”, deklaroi Bode. Në orët e vona, nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali, theksoi se negociatat me PD-në kanë mbetur të hapura për sot. Gjithçka me aleatët kryesorë si PR, PDIU dhe LZHK pritet të mbyllen sot, gjatë ditës.


Berisha takon LGTB-në


Në selinë e Kryeministrisë mësohet se Sali Berisha ka pritur dje dy aktivistët për të drejtat e LGBT-së në Shqipëri, Xheni Karajn dhe Kristi Pinderin, duke u bërë kështu i pari kryeministër i vendit që takon në zyrën e tij përfaqësuesit e komunitetit LGBT. Sipas njoftimit për shtyp të kësaj lëvizjeje, “zoti Berisha shprehu mbështetjen për të drejtat e komunitetit LGBT dhe përgëzoi dy drejtuesit e lëvizjes, sidomos për faktin që i kanë dhënë zë kauzës që mbështesin”. “Ju kam ndjekur me vëmendje dhe keni bërë shumë mirë që keni dalë publikisht për të mbrojtur kauzën tuaj, sepse është e rëndësishme të besosh tek kauza që përfaqëson”.


“T’ju them të drejtën, – vijoi më tej kryeministri, – nuk më vinte mirë kur flitej për këtë çështje dhe nuk kishte asnjë përfaqësues të komunitetit që të dilte publikisht për të mbrojtur kauzën”. LGTB bën të ditur se “Berisha dënoi si të pavend polemikat e krijuara nga zëvendësministri Ekrem Spahiu, duke thënë se, askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në orientimin intim të individëve – dhe shtoi se – ato deklarata janë të papranueshme jo nga një zëvendësministër, por nga askush”.