Një ditë pas konferencës për zgjedhjet në Washington, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu ka dhënë disa deklarata të rëndësishme nga Korça lidhur me problematikën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor në Shqipëri.
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Çdonjëri dëshiron që të ketë zgjedhje të mira dhe populli shqiptar e meriton këtë”, është shprehur Arvizu.
Diplomati amerikan ka vlerësuar se është e rëndësishme të ristrukturohet KQZ, dhe prej këtej të nisë edhe kompozimi i 89 KZAZ-ve.
“Që të ketë zgjedhje të mira, nevojitet jo një KQZ e bazuar mbi një farsë, por një KQZ funksionale, një KQZ si nevojë e konsensusit politik dhe marrëveshjes. Është e rëndësishme të ristrukturohet KQZ dhe prej këtej të nisë edhe kompozimi i 89 KZAZ-ve. Është e rëndësishme që të zbatohen rregullat. Fatkeqësisht rregullat nuk janë respektuar kohët e fundit. Ai që është më i rëndësishmi, është vullneti politik. Askush nuk po flet për bojkot, askush nuk po flet për shtyrje zgjedhjesh. Gjërat janë aty, prandaj nuk nevojitet një farsë, por që punët të merren seriozisht. Dhe e rëndësishme është që opozita dhe qeveria të jenë pjesë e këtij procesi. Ne nuk kemi një formulë magjike, por ka më shumë se një zgjidhje dhe një zgjidhje është ende e mundshme”, tha Arvizu.
24 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)