“Pse veproni si banditë?” Shefi i paraushtarakëve e vrau duke nisur eksodin masiv
Marija Ristic BIRN
Një dëshmitar i rëndësishëm i prokurorisë tregoi në gjyqin e 13 anëtarëve të njësisë paramilitare të “Çakajve” serbë sesi i masakruan civilët shqiptarë në Kosovë në vitin 1999.
Dëshmitari Zoran Raskoviq, i cili ishte anëtar i “Çakajve” gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi në Gjykatën speciale në Beograd të hënën për vrasjet brutale të kryera nga njësia e tij.
“Hymë herët në mëngjes në Lubeniq”, tha Raskoviq në gjykatë.
“Ishte aksion i rregullt ushtarak. Hymë në fshat, i detyruam fshatarët të linin shtëpitë e tyre dhe të mblidheshin në qendër të fshatit afër xhamisë”, tha ai.
“Ishin mbledhur rreth 60 deri në 100 fshatarë, dukeshin shumë të frikësuar. Si delet para se të theren. Pastaj një shqiptar doli nga grupi dhe tha: ‘Pse po veproni si banditë’”.
Pastaj “Mrtvi” (“i vdekuri”, nofka e ish-komandantit të njësisë, Nebojsha Miniq), e vrau dhe tha: “Të gjithë ata që përpiqen të ofendojnë policinë serbe do të përfundojnë kështu”, vazhdoi Raskoviq.
Pas të shtënave fillestare, filloi vrasja masive, tha ai.
“Mbaj mend vetëm se pashë tre anëtarë të tjerë të njësisë që po gjuanin pa kontroll grupit të civilëve që ishin mbledhur aty. Nuk e di sesa zgjati kjo. Por ende mund të shoh trupa të tyre të përgjakur. Ishte masakër”, tha Raskoviq.
Trembëdhjetë luftëtarë serbë akuzohen se kanë vrarë të paktën 100 shqiptarë në katër fshatra në Kosovë, Lubeniq, Qyshk, Pavlan e Zahaq, në vitin 1999.
Sipas Raskoviqit, lideri i “Çakajve” ishte Miniq, i njohur gjithashtu si “komandanti i vdekjes”, i cili ishte anëtar vullnetar i njësisë së policisë në qytetin e Pejës në Kosovë.
Miniq u arrestua në Argjentinë në vitin 2005 kur ishte në arrati, por vdiq nga SIDA në të njëjtin vit, gjatë procesit të ekstradimit.
“Mbaj mend se më vonë ‘Mrtvi’ ishte ulur në një dyqan aty me komandantin e ushtrisë Batliç, i cili e lavdëroi për aksionin, duke thënë se ishte aksioni më i mirë ushtarak”, tha Raskoviç.
Ai tha se civilët shqiptarë që u arratisën nga Lubeniqi për në Shqipëri, u treguan të tjerëve rrugës se çfarë kishte ndodhur, duke i bërë dhe ata të largoheshin nga zona rreth Pejës.
Raskoviç dëshmoi gjithashtu se “Çakajtë” ishin njësi speciale, të cilëve u ishin dhënë para dhe armë nga shteti, por vepronin në mënyrë të pavarur nga komanda qendrore.
Prokuroria serbe ka hedhur dyshime se Toplica Miladinoviq, Sreçko Popoviq, Slavisha Kastratoviq, Boban Bogiçeviq, Radoslav Brnoviq, Vidoje Koricanin, Veljko Koricanin, Abdulah Sokiq, Milojko Nikoliq, Sinisha Misiq, Zoran Obradoviq, Dejan Bulatoviq dhe Ranko Momiq janë përgjegjës për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve etnikë në fshatrat Zahaq, Pavlan, Lubeniq dhe Qyshk në Kosovë në vitin 1999.
Qëllimi i sulmit, sipas aktakuzës, ishte të dëbonte në mënyrë të përhershme popullatën shqiptare nga zona.