Të nesërmen e 4-0 shkatërrimtare në Mynih janë të shumtë ata që besojnë se era e Barçës së madhe arriti në finish
Analiza: Ja argumente bindëse për të qenë pro dhe kundër kësaj thënieje
Kishte humbur dy herë radhazi ndaj Real Madridit në një javë dimri, mes Kupës së Mbretit dhe La Ligas. Shfaqi vështirësi ndaj Milanit dhe frikësoi ndaj PSG-së në Champions. Por për të folur për një “fund të ciklit” duhej një humbje e rëndë. Një katastrofë. Dhe ja ku erdhi: Bajern-Barcelona 4-0. Sigurisht nuk bëhet fjalë vetëm për një rastësi apo për një natë negative: Barça nuk është më e pathyeshme prej disa muajsh, kambanat e alarmit kishin rënë disa herë. Por tani mbetet të kuptohet nëse kjo goditje shënon vërtet mbylljen e një ere të mrekullueshme, apo është vetëm pika më e ulët për të nisur ringjitjen drejt majës së futbollit botëror.
PO FUNDI — Duket një mungesë urie për fitore. Në fakt, pas 4 vitesh me Guardiolën, plot triumfe por edhe stresuese, është e mundur që të ketë pasur një relaksim. Por nuk është i vetmi faktor që anoi balancën nga ana e disfatistëve. Para së gjithash, është mosha e disa kolonave të blaugranëve: Pujol (35 vjeç), por edhe Ksavi (33) e Vija (31). Është hendeku fizik me skuadrat pretendente, i vështirë për t’u toleruar, pasi mbrojtja rrezikon të pësojë gol në çdo kros, korne, apo goditje dënimi. Duhet marrë në konsideratë edhe vendosja taktike. Kjo Barcelonë, pasi revolucionarizoi mënyrën e të luajturit me “tiki-taka”-n e saj marramendëse, nuk prodhoi variante sinjifikative, duke u bërë gjithnjë e më e parashikueshme. Në sezonet e kaluara, ky sistem ishte dominues ndaj rivalëve dhe vetëm pak mungesë fati i mohoi Barçës të fitonte edhe më shumë. Por tani janë gjetur kundërmasat. Dhe nëse mungon shkëlqimi fizik në rikuperimin e topit sa herë që e humbet, mbrojtja e brishtë dhe e improvizuar (të martën luajti i riu Batra) ekspozohet ndaj sulmeve armike. U blenë disa lojtarë të nivelit të lartë, por jo funksionalë perfektë për projektin. Sançez nuk është alternativë e Vijas, por rebusi i vërtetë mbetet roli i pazgjidhur i Fabregas: deri sa Ksavi është në aktivitet, plëngprishësi Sesk endet në fushë në kërkim të rolit, mes sulmit që e njeh pak dhe mesfushës ku është gjithnjë “një më shumë”. Duhet sistemuar.
JO FUNDI — Por ka nga ata që këmbëngulin se Barça ka gjithçka për t’u shëruar shpejt. Para së gjithash, është “mes que un club” (më shumë se një klub) sepse talentet i kultivon në “La Masia” dhe i garanton gjithnjë “pjesën e freskët të këmbimit”, më të mirët e të cilëve do të bëhen Piketë, Pedrot, Busketsat e të nesërmes, për të mos thënë Ksavi e Iniesta. Thiago Alkantara, Tejo, Bartra e Montoja po kolaudohen që të jenë gati të marrin stafetën gardës së vjetër. Pastaj Mesi: është e vërtetë, zgjedhjet taktike të Vilanovës e kanë bërë Barçën edhe më shumë (tepër) të varur nga ylli i saj, por Leo (25 vjeç) mundet ende ta marrë mbi shpatulla skuadrën për shumë kohë. Ka thyer thuajse të gjithë rekordet dhe është ende një yll i ri dhe mbi të gjitha besnik, rreth të cilit është e mundur të rindërtosh një projekt. Zëvendësimi i Guardiolës nuk do ishte i lehtë, jo më për një trajner që ka pasur (dhe ka) probleme të rënda me shëndetin. Fillimi i erës Vilanova ishte për rekord, pastaj mungesa e tij fizike në momentet më kyçe të sezonit, i dëmtoi. Pa pushim, La Liga e fituar para kohe dhe një verë me Kupën e Konfederatave, jo Botëror apo Europian, mund t’i rikthejnë energjinë kësaj trupe. Pas një goditjeje të tillë do të kenë një motivim shtesë gjatë verës.