Një funksionar i majtë që ka lidhje familjare me të djathtën shikohet si kompromis për t’i dhënë fund krizës 


enrico lettaEnrico Letta u emërua Kryeministër i Italisë dhe iu kërkua nga Presidenti Giorgio Napolitano të krijojë një koalicion me bazë të gjerë. Emërimi i Lettas, i cili aktualisht është nënkryetar i Partisë Demokratike, grupi kryesor i së majtës, mund t’u japë fund dy muajve krize politike.


Zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në shkurt e lanë vendin pa fitues të qartë. Në një deklaratë, Letta tha se si Kryeministër do të synojë të ndryshojë shtegun e shkurtimit të shpenzimeve në rang europian. “Politikat europiane janë tepër të fokusuara te shkurtimi i shpenzimeve, të cilat nuk janë më të mjaftueshme”, tha ai pas një takimi me dyer të mbyllura me Presidentin në Romë.


Letta duhet të krijojë tashmë një qeveri e cila duhet të fitojë mbështetje si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Fraksione të ndryshme nga i gjithë spektri politik kanë bërë të ditur se tashmë janë të gatshëm të krijojnë një qeveri nën udhëheqjen e Lettas.


Ai është nipi i shefit të shtabit të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, Gianni Letta, dhe shihet si i moderuar dhe i pranueshëm nga qendra e djathtë.


Një aleancë e gjerë do të përfshijë edhe partinë e Berluscon-it, gjë që do ta bëjë atë sërish një figurë politike të rëndësishme. Afrimi i rivalëve të ashpër të politikës italiane u pa si e vetmja rrugë për t’i dhënë fund bllokimit parlamentar dhe për të krijuar një qeveri. Por një martesë e detyruar mund të mos zgjasë gjatë.


Qeveria e re pritet të përpiqet të zbatojë një seri të kufizuar reformash ekonomike dhe institucionale. Mes prioriteteve, duhet të jetë edhe ndryshimi i ligjit aktual elektoral. Kjo do të shërbejë për të siguruar se zgjedhjet e ardhshme do të japin një rezultat më të qartë dhe do të krijojnë një mazhorancë më funksionale.


Emërimi i Letta-s erdhi pasi Presidenti Napolitano u betua të hënën për mandatin e tij të dytë, mandat që iu dha pasi palët nuk qenë në gjendje të emëronin një kandidat të përbashkët për President.


Pasi mori mandatin e dytë, i cili është i paprecedentë në historinë e Italisë, ai u tha deputetëve se janë fajtorë për një numër të madh dështimesh dhe se paaftësia e tyre për të zbatuar reformat kyçe është “e pafalshme”.


Ai ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse nuk krijohet një qeveri funksionale.


Profili


Enrico Letta, i emëruar Kryeministër


Dikur ka qenë anëtar i ri i një partie të krahut të djathtë.


Aktualisht është nënkryetar i Partisë Demokratike.


Më 1998 u bë ministri më i ri në historinë e Italisë, qe 32 vjeç.


Ai ka mbajtur shumë poste ministrore.


Xhaxhai i tij është ndihmës i ish-kryeministrit të djathtë, Silvio Berlusconi.


Sot 46 vjeç, ai tha se e ka pranuar detyrën duke e ditur se përbën një përgjegjësi të stërmadhe dhe se klasa politike në Itali “ka humbur të gjithë besueshmërinë”.