Vendimi


Reagon socialisti: Falënderoj gjyqtarin që vlerësoi 30 mijë lekë dinjitetin e Pollos. Ministri: Paratë, për Kryqin e Kuq


“Sa është shuma e ryshfetit që ke marrë? Unë po të them 1.2 milionë euro”, ishte akuza e Ballës për Pollon


Taulant-Balla-Kuvend-Gjykata Civile e Tiranës ka “dënuar” me një gjobë prej 30 mijë lekësh deputetin socialist Taulant Balla, para të cila duhet t’ia japë ministrit Genc Pollo. Gjyqtari Bledar Abdullai deklaroi se padia e ministrit Pollo pranohet pjesërisht dhe nga 1 milion lekë gjobë që kërkon zyrtari, Gjykata deklaron si gjobë 30 mijë lekë. “Por kjo gjobë nuk është për arsye ekonomike, sesa si një ndëshkim, pasi me deklaratat e tij në foltoren e Parlamentit, deputeti Balla i ka shkaktuar dëm ministrit Pollo, duke ndikuar negativisht në opinionin publik”, pohon gjykata. Pas këtij vendimi, avokati mbrojtës i deputetit socialist reagoi menjëherë, duke e akuzuar drejtësinë për dyfytyrësi në dhënien e vendimit, që sipas avokatit Koli Bele i jep të tilla vetëm për opozitën, ndërkohë që për thëniet e krerëve të mazhorancës, gjyqësori i konsideron ato opinione. Ndërkohë, ka reaguar edhe deputeti Taulant Balla, i cili thekson se ky vendim është gatuar në aneksin e kuzhinës së Sali Berishës, ndërsa “falënderoi” gjyqtarin që e vlerësoi dinjitetin e Genc Pollos me 30 mijë lekë. Ministri Pollo, nga ana e tij, reagoi duke u shprehur se dhe pse gjoba e vendosur nuk është dekurajuese për shpifës të tjerë si Balla, shuma do t’i shkojë Kryqit të Kuq Shqiptar.


 


Padia në gjykatë


Ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, paditi për “shpifje” në Gjykatën e Tiranës deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ministri Pollo kërkoi dëmshpërblim nga deputeti Balla në shumën e 1 milion lekëve. Padia e ministrit Pollo ka të bëjë me deklarata të deputetit Balla në foltoren e Parlamentit në një nga seancat plenare të tetorit 2011. Në një nga këto seanca, deputeti Balla e akuzoi ministrin Pollo për abuzim me detyrën, marrje ryshfeti dhe favorizim në dhënien e lejeve për fibrat optike në vend. “Sa është shuma e ryshfetit që ke marrë? Unë po të them 1.2 milionë euro. A ke llogari bankare në një bankë arabe në Qipro?”, deklaroi Balla në seancën e 20 tetorit, thënie të cilat ministri Pollo i pretendon të pavërteta. Padia u regjistrua në datën 13 shkurt 2012 në gjykatën e kryeqytetit. Si palë paditëse ishte Pollo, dhe i paditur Balla. “Shpërblim i dëmit jashtëkontraktor në masën 1 000 000 lekë”, thuhet në objektin e padisë.


 


Balla në “Facebook”


Ndërkohë deputeti socialist ka reaguar në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”. Sipas tij: “Ashtu siç dhe pritej, sot në Gjykatën e Tiranës u shpall një vendim tjetër i gatuar në aneksin e kuzhinës së Sali Berishës kundër opozitës. Gjyqtari nuk kishte si të jepte vendim tjetër, megjithëse edhe vetë e kuptoi gjatë seancave gjyqësore se gjithçka kam thënë është e vërtetë. Për ta kuptuar më thjeshtë të gjithë shqiptarët, unë sot u dënova me vendim gjykate sepse kam thënë se rrugët e Shqipërisë janë çarë nga një kompani, e cila nuk ka pasur licencë dhe leje. A janë çarë apo nuk janë çarë rrugët në çdo cep të Shqipërisë? A u ça Rruga e Kombit për të shtrirë kabullin e fibrës optike? Pse u tërhoq Genc Pollo nga licencimi i këtij rrjeti që do t’i jepte buxhetit të shtetit 12 milionë euro? Pse nuk i lihet kohë Prokurorisë që të hetojë këtë rast korrupsioni? Shqiptarët do ta gjykojnë më 23 qershor se kush ka të drejtë. Rilindje edhe për sistemin gjyqësor, për ta shpëtuar nga kontrolli i Saliut. Ndërsa Genc Pollos i them se do të hetohesh për të gjithë pazaret që ke bërë dhe po bën. Edhe këto ditë po tenderon me shpejtësi dhe fshehtësi rrjetin dixhital të televizionit prej 25 milionë eurosh. Në fund dua ta falënderoj gjyqtarin, i cili vlerësoi se dinjiteti moral i Genc Pollos vleka 30 mijë lekë”. s.ç