konventa-e-PD-1Partisë Demokratike ka nisur pasditen e sotme konventën e vet për rininë në Pallatin e Kongreseve në praninë e qindra të rinjve dhe të personaliteteve të PD.


Kryeministri i vendit Sali Berisha në fjalën e tij u shpreh se vinte para të rinjve më i frymëzuar se kurrë dhe se mandatin e ardhshëm do të punonte që të bënte realitet të gjitha ëndrrat e të rinjve shqiptarë.


“Unë besoj në vizonin dhe energjinë tuaj për të ardhmen. Me forcën e rinisë arritëm të mposhtnim diktaturën. Reformat më të mëdha kanë firmën e të rinjve. Ne do bëjmë gjithçka për punësimin tuaj”, tha Berisha.


Konventa u përshëndet nga kryebashkiaku Lulzim Basha i cili theksoi se prioriteti i Partisë Demokratike është rinia dhe sulmoi paraardhësin e tij, Rama se nuk ka bërë asgjë për ta.


Ndërkohë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli në fjalën e saj shprehu entuziazmin për pjesëmarrjen e gjerë të të rinjve në sallë dhe besimin për fitore të thellë më 23 qershor.


Topalli akuzoi kreun e PS, Edi Rama se bllokoi integrimin e vendit dhe të gjitha mundësitë që do t’u ofroheshin të rinjve prej tij.


Sipas topallit kreu i PS i detyron deputet e tij të kundërshtojnë çdo gjë duke votuar kundër çdo ligji, reforme dhe buxheti, për arsimin, të rinjtë dhe pedagogët.


“Unë e di se me 23 qershor, ju që jeni kaq shumë dhe besoni tek Europa dhe Shqipëria e zhvilluar, do votoni për ndryshimin se ju jeni ndryshimi”, thekoi Topalli.


25 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)