RAMADAN RAMADANI


Tani që përfunduan zgjedhjet lokale në Maqedoni, mund të shkruhet për tema më jashtëkohore e që janë po ashtu të rëndësishme. Një prej këtyre temave, të cilën e përkujton edhe rezultati i hidhur i fundit nga këto zgjedhje, ai në Komunën Dollnen, është veprimi politik opozitar shqiptar në këtë vend.


Gjendja e tanishme e kësaj opozite është e mjerueshme dhe nën çdo nivel të shkallës minimale për organizim politik. Dy subjektet politike në opozitë, PDSH dhe RDK, nëse me veprimet, mosveprimet dhe heshtjen e tyre para zgjedhjeve, zgjonin shumë dyshime nëse ishin parti opozitare të njëmendta, tani pas këtyre rezultateve zgjedhore dhe sjelljes pas, vihet në pyetje edhe nëse janë njëmendtë parti politike.


Duke evidentuar këtë mungesë të tyre aktuale në opinion, për çështje të mëdha, siç ishte rasti me kremtimin shtetëror e pritjes të një dënuari për krime kundër njerëzimit, por edhe me mungesën e analizës së rezultateve zgjedhore të tyre, njeriut mund t’i shkojë ndërmend publikisht të pyesë: A ekzistojnë ende si organizime politike?! Deri në atë minimumin që bëjnë të pyetesh; nëse vallë takohen ata bashkëpartiakë mes vetes, bëjnë ndonjë mbledhje apo edhe ata si gjithë ne qytetarët, veç e veç, nëpër shtëpitë dhe ndejat tona, shohin lajme në televizion dhe vështrojnë, analizojnë apo bëjnë tifo për ndonjë proces dhe ngjarje politike?!


Arsyetimi i tyre i padrejtë, duke vënë në pah atë që është pozitë te shqiptarët dhe cilësinë, përgjegjësinë e BDI-së nuk është valid ende më shumë pas këtyre zgjedhjeve. Kjo, në parim, pasi vlerësimi bëhet sipas asaj sesi do të duhej të jetë vërtet përfaqësimi politik e jo siç është apo siç mund të jetë.


Dhe sidomos pasi tani u pa se një prej shtyllave kryesore të fitores së BDI-së është mu një kësi opozite. Aq sa, në sajë të ndarjes së votës nëpër komuna humbi edhe përqindja e asaj që ishte e verifikueshme edhe me numër të votave për kësisoj opozite, se shqiptarët votojnë kundër politikave qeveritare. Që e bën të vërtetë se më shumë se sa ka fituar BDI-ja kanë humbur këto dy: ish-parti, ish-opozitare. Aq sa vargu antologjik i Ndre Mjedës: djali pa nënë si nata pa hënë, në BDI lexohet gjithmonë si: BDI-ja pa këtë PDSH-në si nata pa hënë.


Tani në këtë periudhë që nuk ka zgjedhje është e radhës të bëhet një konsolidim i njëmendtë i tyre, duke filluar me përgjegjësinë dhe dorëheqjet. Kjo, pasi është më se e vërtetë se pa lënë diç nuk mund të marrësh diç tjetër. Në të dyja organizimet opozitare kanë substancë të mirë dhe aktive njerëzore që mundëson konsolidim të opozitës. Tani, me dy komuna dhe shumë këshilltarë nëpër komuna të fituara nga opozita shqiptare, ka kapacitet edhe konkret për këtë konsolidim.


Duke mos harruar faktin se përgjegjësitë dhe dorëheqjet janë pikësëpari punë e tyre e brendshme. Përzierja nga jashtë vetëm se e dëmton dhe jep hapësirë që pushteti të dëshirojë të ndikojë në pamundësimin e këtij konsolidimit të dëshiruar nga shumë qytetarë në Maqedoni. Ashtu si nuk janë “luanë” gjithë ata që votuan direkt kundër partnerit qeverisës shqiptar, e kjo në shumë komuna ishte e mundshme vetëm me votë për PDSH-në, ashtu nuk është “luan” ai që pa ndonjë kontribut për opozitën kërkon përgjegjësi nga e njëjta.


Një veprim i konsoliduar opozitar ndër shqiptarët do të ishte i mirë për ambientin politik në vend dhe ajo do i sillte shumë dobi edhe Maqedonisë dhe çështjeve shqiptare. Kjo, pasi veprimi politik shqiptar bëhet në një ambient të natyrshëm opozitar ndaj sistemit qeverisës të çalë që është në Maqedoni e që tani edhe u evidentua në raportin e fundit të State Department, ku u tha se ka probleme në funksionimin e shtetit ligjor. Frazë kjo që në përkthim më të drejtë do i binte që në Maqedoni ka diçka që quhet shtet, por që ka probleme për të qenë me të vërtetë një shtet.


Prandaj, veprimi politik te shqiptarët, si kolektivitet më i madh ndaj të cilëve bëhet diskriminim grupor, është natyrshëm opozitar. Kjo është edhe çështja esenciale ku përjetoi debakël opozita maqedonase, LSDM dhe të tjerët, me moskonsistencën e saj në vijë qytetare dhe përkushtimin për të bërë, vërtet, një shtet ligjor. Opozita pa shqiptarë është e çalë dhe prodhon një pushtet të përdalë. Për të qenë Maqedonia shtet i vërtetë duhet të kenë shqiptarët opozitë të njëmendtë.


Kur mungon një opozitë e njëmendtë shqiptare atëherë njëra pjesë e pushtetit, sipas nevojës, mandej aktron edhe opozitë. Që i bie diçka sikur kur në mungesë të recepsionistes në ndonjë bordel, punonjëset e atyshme të merren edhe me shërbimet administrative?!