Dy koalicionet e mëdha dorëzojnë dokumentet pranë KQZ-së


Partitë – Për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit u regjistruan gjithsej 67 parti politike


Koalicionet – Vetëm dy koalicione u krijuan me rastin e këtyre zgjedhjeve, ai i PD-së dhe PS-së


Madhësia – PS-ja ka arritur të krijojë për këto zgjedhje koalicionin më të madh në historinë politike të vendit


Negociatat – Të dyja palët nuk kanë ngurruar të kryejnë dhe negociata të momentit të fundit për të rritur numrin e partive


Fatjona Mejdini


gjate procesit te numerimit te votavePartia Socialiste ka qenë partia e parë që ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionin e saj prej 40 partish. Kjo procedurë është kryer pasditen e djeshme nga ana e dy juristëve të PS-së në këtë komision. Pavarësisht se koalicioni ishte mbyllur që paradite, me firmën e fundit të Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, vetëm pasdite juristët e kësaj partie kanë vendosur ta paraqesin dokumentin zyrtar pranë zyrës së protokollit të KQZ-së. Ndërkaq, Partia Demokratike ka marrë më shumë kohë për të bërë dorëzimin zyrtar të koalicionit të saj dhe kjo lidhet me shfrytëzimin e mundësisë së fundit të zgjerimit të tij. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, dorëzoi listën e koalicionit të djathtë të përbërë nga 26 parti politike. Por ky proces rutinor dorëzimi nuk ka kaluar pa replika politike. Kështu, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, përgjatë një takimi elektoral pasditen e djeshme, ka ironizuar numrin 40 të partive të opozitës. Ai theksoi se opozita firmosi dje të dyzetat e Rilindjes dhe se koalicioni i së djathtës ishte ai më i madhi dhe më i rëndësishmi ndonjëherë. Berisha nuk ka lënë pa ironizuar dhe partitë e reja që janë bërë pjesë e koalicionit të majtë, duke i lidhur ata me personazhe të njohura publike. “Krahu tjetër firmosi sot të dyzetat e Rilindjes. Qesharak dhe fantazmagorik, siç nisi politikën, do të dalë prej saj. Ka rreshtuar dyzet emra, njëlloj si për të respektuar traditën e të dyzetave… E fundit që u regjistrua te të dyzetat ishte partia e Gaz Demit. Kishte mbetur edhe Gazi pa u regjistruar dhe u regjistrua edhe ai”, deklaroi Berisha. Por, nga ana tjetër, ai foli dhe për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar opozitës që të kthejë anëtarët e dorëhequr në këtë komisionin. Ai i konsideroi dorëheqjet në këtë komision si vepër të Ramës dhe e quajti atë një humbës. “Ndaj dhe i them: kthe sa më shpejt anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të ketë as edhe një germë ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve. Sikundër, dua të dënoj lojën që bëri me përfaqësuesin e partisë së minoriteteve. Ajo që i ndodhi Jani Janit, as në romanë nuk lexohet. E ngrinë, e shkrinë, e përzunë dhe sot doli KQZ-ja, në kundërshtim me respektin që duhet të tregohet për pakicat, ia zuri të gjitha vendet partisë së Janit. Pra viktima e pamerituar e këtyre zgjedhjeve është i ndjeri politik Jani Jani”, deklaroi Berisha. Ai gjeti rastin të theksonte se qeveria siguronte se zgjedhjet e ardhshme do të ishin të lira dhe të ndershme.