Diplomacia
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, takoi shefin e ushtrisë së Pakistanit dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi në bisedime të ndërmjetësuara nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, bisedime që synojnë të ulin tensionet mes dy fqinjëve para se misionet luftuese të NATO-s në Afganistan të mbyllen.
Afganistani ka shprehur zemërim gjatë kohëve të fundit ndaj Pakistanit për shkak të ecurisë së keqe të bisedimeve të paqes me talebanët, të cilët konsiderohen si forca joformale të ushtrisë pakistaneze. Kabuli dyshon se Pakistani dëshiron ta mbajë fqinjin e vet verior të destabilizuar deri në largimin e trupave të NATO-s në fund të vitit 2014.
Kerry i organizoi bisedimet në Bruksel mes Karzait dhe shefit të shtabit të Pakistanit, gjeneralit Ashfaq Kayani, si dhe ministrit të Jashtëm, Jalil Jilani, me synimin e qetësimit të tensioneve mbi mosmarrëveshjet ndërkufitare.
Kerry u tha gazetarëve në fillim të takimit se Afganistani është në një periudhë kritike transformimi. “Jam shumë i lumtur që palët erdhën këtë në kohë. Ne jemi me shpresë për një seri bisedimesh produktive”.
Karzai e cilësoi takimin të rëndësishëm dhe tha se qe i lumtur që Kayani dhe Jilani kanë gjetur kohë për të udhëtuar në Bruksel. Jilani tha gjithashtu se takimi është i rëndësishëm dhe se po kërkon bisedime produktive. Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan një ditë më parë në Bruksel. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Fogh Rasmussen, tha se Pakistani duhet të shtypë militantët që përdorin këtë vend si bazë nga ku lëshojnë sulmet në Afganistan. Zyrtarët afganë thonë se Pakistani ka një histori të gjatë mbështetjeje për talebanët e Afganistanit apo fraksione të tjera kryengritëse. Pakistani ka akuzuar Afganistanin se strehon dhe mikpret disa lloje militantësh në anën e vet të kufirit.
Forcat e NATO-s do të tërhiqen nga Afganistani për t’ia kaluar përgjegjësitë vendësve vitin e ardhshëm, pas 12 vjetësh luftë. Afganistani konsiderohet nga disa analistë edhe si zonë e nxehtë e luftës së ftohtë mes Pakistanit dhe Indisë.