Banorët e 14 familjeve të cilët 2 ditë më parë u nxorën me dhunë nga banesat e tyre pranë shkollës Petro Nini Luarasi” janë futur në grevë urie. Banorët janë vendosur pranë godinës trekatëshe ku banonin prej më shumë se 50 vjetësh prej nga u nxorën nga përmbarimi.
Dy komisionerë të Avokatit të Popullit kanë mbërritur në ambientin ku po zhvillohet greva, ndërsa banorët tashmë të pastrehë, kërkojë që t’u lihet më shumë kohë pasi nuk kanë asnjë vend ku të fusin kokën e as mundësi për të marrë kredi, duke qenë se shumica e tyre janë pensionistë dhe pa të ardhura.
Dy ditë më parë, ndërhyrja e përmbarimit dhe policisë private për të nxjerrë nga banesat 14 familjet që jetojnë prej vitesh në godinën trekatëshe pranë rrugës ‘Margarita Tutulani’ degjeneroi në konflikt fizik mes tyre, deri në përdorimin e armëve. Ndërkohë, pas kësaj situate ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Igli Totazani i cili ka kërkuar nga prokuroria të hetojë lidhur me aktin normativ mbi bazën e të cilit po nxirren nga banesat e tyre banorët që kanë jetuar në to për dhjetëra vite me radhë.
25 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)