Champions League


Levandovski me 4 golat ne Borusia Dortmund-Real Madrid 4-1Pas Barcelonës, në Gjermani turpërohet edhe Reali i Madridit, i cili ulet në gjunjë pas triumfit 4-1 të Borusias së Dortmundit, të udhëhequr nga një super-Levandovski, që i çon drejt finales. Të dyja skuadrat janë përballur në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions në “Ëestfalenstadion”, që kishte rezervuar një atmosferë drithëruese. Ndërsa Jurgend Klop hodhi në fushë një skuadër të rreshtuar 4-2-3-1, me të njëjtin modul kundërpërgjigjej edhe Murinjo, i cili në minutat e fundit para ndeshjes vendosi të lërë në stol Di Marian e Benzema, për të aktivizuar në vend të tyre Modriç dhe Higuain. Pa u përmbushur ende 8 minutat e para nga fillimi i ndeshjes, Dortmundi, i cili po tregohej më këmbëngulës, arriti të zhbllokonte rezultatin me atë të golit të Robert Levandovskit: sulmuesi i shpëton mbulimit të Pepes dhe në shtyllën e dytë devijon në rrjetë një kros nga e majta të bavarezit të ardhshëm, Mario Gëtze. Në minutat e fundit të pjesës së parë, më saktë në të 43-n, ka ardhur edhe goli i barazimit nga Kristiano Ronaldo. Në momentin e pasimit nga Modriç, Humels ishte në avantazh ndaj Higuain, por në tentativën për ta kthyer topin te portieri, e gjuan lehtë duke ia dhuruar argjentinasit vetëm për vetëm me portierin. Higuain jep asist për Ronaldon e pambuluar në qendër dhe për portugezin është lojë fëmijësh që ta çojë topin në rrjetë. Në këtë fraksion të parë të ndeshjes, gjermanët kanë ofruar një futboll ekzaltues, duke vrapuar në të gjithë fushën dhe duke vënë shpesh në krizë mbrojtjen mike. Pak nga pak Reali ka provuar të reagojë dhe ka gjetur në fund të 45 minutave të parë golin e barazimit 1-1. Megjithatë, pak minuta para këtij goli pati një kontakt të dyshuar në zonë mes Varane dhe Rois, por gjyqtari nuk dha 11-metërsh për gjermanët. Në pjesën e dytë ngjitet në katedër Levandovski, i cili udhëheq një Borusia Dortmund të papërmbajtshëm. Brenda 5 minutave polaku realizon edhe dy gola (50’ dhe 55), duke rikthyer avantazhin e merituar 3-1 për vendasit. Në minutën e 62, Gyndogan driblon gjysmën e mbrojtjes iberike dhe i shkon shumë pranë shënimit të një tjetër goli. Por për këtë mendon sërish Levandovski, i cili në minutën e 66 e çon rezultatin në 4-1, pas ekzekutimit të një 11-metërshi të fituar nga Rojs. Murinjo tenton të rikuperojë dhe hedh në fushë Di Marian dhe Benzema respektivisht për Modriç e Higuain. Reali përpiqet, por koha nuk i mjafton. I dorëzohet fatit të humbjes 4-1 përballë djemve të tmerrshëm të Klop, të cilët hedhin një hap gjigant drejt finales, që me shumë gjasa do të jetë e gjitha gjermane.


 


Mallkimi


Gjermani duket tokë e mallkuar për spanjollët: Pas Barcelonës, edhe Reali i Madridit turpërohet me një humbje 4-1 përballë djemve të tmerrshëm të Dortmundit